Rama paralajmëron shkarkime drejtorësh në shtator

AKTUALITET


Kryeministri Edi Rama ka kërkuar ngritjen dhe funksionimin e Këshillave Bashkiakë në çdo bashki brenda datës 15 gusht, ndërkohë që ka bërë të qartë se të gjithë drejtorët në rrethe që nuk kapin ritmet e PS-së do të shkarkohen nga detyra.

Këto deklarata kreu i PS-së, i bëri gjatë një takimi që zhvilloi të premten me drejtuesit e PS-së për rajonin e veriut, për të cilin është ai përgjegjes, pasi nga Vlora, Rama vendosi të marrë në duart e tij koordinimin e punëve të PS-së në qytetet e Veriut.


Kryeministri gjithashtu ka dhënë porosi se duhet të bëhet vlerësimi për çdo punonjës bashkiak.

“Drejtorët të cilët nuk kapin ritmin do të largohen nga PS. Kryebashkiakët të kenë gati planet deri në fund të gushtit”, ka thënë Rama në mbledhje.

Sipas Ramës administrata në terren ka probleme dhe në muajt shtator- tetor do të bëhet vlerësimi.

Gjatë këtij takimi kryeministri Rama ka prezantuar ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj si drejtuesin e ri në qarkun e Lezhës.

Ky vendim u mor në Asamblenë e PS që u zhvillua ditën e martë dhe ku Rama njoftoi ndryshime në kupolën drejtuese të PS-së.

Kështu në Shkodër në vendin e Ditmir Bushatit u vendos kryebashkiaku i ri Valdrin Pjetri, në Lezhë shkon ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj në vendin e Lindita Nikollës, ndërsa në Tiranë largohet Blerina Gjylameti për t’i lënë vendin dyshes drejtuese Elisa Spiropali-Ervin Bushati. Lëvizjet prekën edhe sekretariatet e partisë, teksa risi është ministri i jashtëm Gent Cakaj te rinia.




Skip to toolbar