“Dialog në 9 qershor”: Gënjen Basha apo amerikanët?

AKTUALITET


Kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka “zbuluar” në një bashkëbisedim me gazetarët se PD ka qenë gati të ulej në një tryezë bisedimi me kryeministrin Edi Rama që në qershor, por sipas Bashës ka qenë Rama ai që e ka refuzuar propozimin e ndërkombëtarëve. Madje ai ftoi gazetarët që të pyesin kryeministrin se përse nuk ka pranuar dialog me opozitën me 9 qershor.
I pyetur nëse ai është gati të ulet në tryezë dialogu me Ramën, Basha që bllokoi vendin për 6 muaj vetëm që të ikte Rama, tha pa iu dridhur syri: “Ashtu siç e kam bërë të qartë, as unë dhe opozita e bashkuar nuk kanë qenë pengesa për dialogun politik për zgjidhjen e krizës. PD dhe unë i kemi thënë po propozimit të partnerëve tanë ndërkombëtar që në 9 qershor, ai që ka refuzuar angazhimin e faktorit ndërkombëtar për zgjedhjen e krizës, është Edi Rama. Pushteti i tij vjen përpara Shqipërisë dhe shqiptarët. Fajtori për refuzimin e asaj oferte është Edi Rama”, tha Basha. Sigurisht që kjo deklaratë është e rendesishme. Nëse është e vërtetë qe Basha donte të takonte Ramën pasi Meta anulloi zgjedhjet e 30 qershorit dhe kryeministri e ka refuzuar, ky është një zhvillim i rëndësishëm që vë Ramën në pozitë të vështirë. Por ka disa fakte që Basha nuk i ka me vete.
Kujtojmë se PD zhvilloi 9 protesta nën moton “Rama IK” para zgjedhjeve të 30 qershorit, ndërkohë që kreu i PD-së, Basha në çdo dalje të tij ka deklaruar se nuk ka dialog me Ramën kryeministër. Madje PD vuri kusht dorëheqjen e Ramës dhe krijimin e një qeverie teknike që PD të futej në zgjedhje. Të dy këto kushte janë rrëzuar nga kryeministri, i cili në çdo dalje të tij si para zgjedhjeve të qershorit dhe pas tyre është i treguar i gatshëm për dialog pa kushte. Ndërsa Basha është shprehur gjithmonë se dialog me Ramën kryeministër nuk ka “dhe nuk do të ketë”. E tha këtë, me disa luhatje, edhe pas 30 qershorit.
Por të kundërtën e deklarimit të Bashës e provon edhe reagimi I të mërkurës në mëngjes I SHBA, ndaj asaj që u duk si fillim I kthimit të PD në sistem:
“Shtetet e Bashkuara mirëpresin vendimin e partive opozitare për të dërguar përfaqësues në konferencën për reformën zgjedhore bashkërenduar nga parlamenti dhe Prezenca e OSBE-së në Shqipëri. Ne përshëndesim Kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha që thirri një takim të opozitës dje. Përpjekjet e tij demonstrojnë udhëheqësi të vërtetë mbi një çështje thelbësore për forcimin e mëtejshëm të institucioneve demokratike të Shqipërisë. Shtetet e Bashkuara mbështesin miratimin e reformave të nxitura nga ekspertët zgjedhorë të OSBE/ODIHR në mënyrë që Shqipëria të mund të zhvillojë zgjedhje që janë të lira nga shtrëngimi, trysnia politike, dhe blerja e votës. Populli shqiptar nuk meriton asgjë më pak se sa kjo”, shkruhet në deklaratën e SHBA-së.
Kjo deklaratë tregoi një hap drejt përmirësimit të marrëdhënieve mes PD dhe SHBA. Rikthimi i PD-së në institucione dhe në rrugën e dialogut është ajo çka SHBA ka kërkuar prej disa muajsh. Marrëdhëniet mes tyre shënuan ftohje për shkak të bojkotit të institucioneve nga ana e PD dhe veçanërisht nga përdorimi i dhunës në protesta. Protesta që kishin vetëm një qëllim, një fjalë, një moto: “Rama ik”.
Atëherë cila është e vërteta? Kush gënjeu të martën? Basha apo amerikanët?

Basha: Negociatat pas plotësimit në 9 kushteve


Kreu i opozitës, Lulzim Basha gjatë bashkëbisedimit me gazetarët tha se edhe ai ka merita në vendimin e marrë nga CDU-CSU për t’i dhënë një mundësi Shqipërisë për hapjen e negociatave, ndërsa akuzoi Ramën si përgjegjës kryesor për shtimin e kushteve ndaj Shqipërisë.
“Jam mirënjohës për CDU CSU për vendimin e tyre. Është edhe falë një pune të opozitës dhe times tek ata, duke u thënë se një ‘jo’ nuk do të ndihmonte Shqipërinë. Dhe prespektivën tonë. Mirënjohje për vendimin e marrë mbrëmë. Por edhe socialdemokratët pas një periudhe të gjatë negociatash kanë dakortësuar qëndrimin që do ti jepet neser Bundestagut për miratim përfundimtar . Ka një kontradiktë. Qëndrimi fillestar ishte një ‘Jo’ e prerë e gjermanëve. Çdo anëtar duhet ta mbështes negociatat por nga ana tjetër nga 5 kushte kemi kaluar në 7 kushte dhe tashmë në 9 kushte duke përfshirë edhe kërkesën e qartë për zgjidhjen e krizës politike si një pengesë që vështirëson hapjen e negociatve. 9 kushtet e miraturara mbrëmë shprehin situatën e vendit”, tha Basha.

Basha: Kemi gati planin anti krizë

Kryetari i PD-së tha se opozita ka gati planin anti krizë që synon të nxjerrë vendin nga kriza.
“Opozita po harton një plan antikrizë dhe një platformë për Shqipërinë si e gjithë Evropa. Kjo krizë mund të kapërcehet vetëm me vullnet politik. Qeveria aktuale nuk ofron asnjë garanci, siç nuk ofrojë në 2017 dhe as në 2019, por përkundrazi në 30 qershor, kjo qeveri tregoi se ka kontroll total mbi KQZ, policinë, prokurorinë, kontrollin e shtetit dhe shkatërroi një proces që vetë garonte dhe vetë votonte. Zgjidhja e krizës pra kërkon vullnet politik, kërkon zgjidhje politike dhe është naive të mendosh se vjen nga shkaktarët e kësaj krize. Është momenti që ai dhe PS duhet të reagojë për këtë krizën dhe t’i hapin rrugë zgjidhjes së saj. Ne po e trajtojmë këtë me përgjegjësi të plotë. Zgjidhja politike nuk kërkon vetëm ndryshime ligjore dhe administrative, por vullnet politik dhe zgjidhje politike, të cilat nuk mund të vijnë nga shkaktarët e kësaj krize. Edi Rama duhet të marrë përgjegjësinë për dështimin”, tha Basha, ndër të tjera./realstory.al



Skip to toolbar