Fund bojkotit, SHBA vlerëson Bashën

AKTUALITET


Vendimi i marrë nga opozita për të marrë pjesë në tryezën e OSBE për reformën zgjedhore është vlerësuar maksimalisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Përmes një deklarate për mediat të shpërndarë të mërkurën SHBA-të vlerësojnë pjesëmarrjen e opozitës në tryezën e reformës zgjedhore, duke theksuar se ky vendim i kreut të PD-së tregon udhëheqësi.

“Shtetet e Bashkuara mirëpresin vendimin e partive opozitare për të dërguar përfaqësues në konferencën për reformën zgjedhore bashkërenduar nga parlamenti dhe Prezenca e OSBE-së në Shqipëri. Ne përshëndesim Kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha që thirri një takim të opozitës dje. Përpjekjet e tij demonstrojnë udhëheqësi të vërtetë mbi një çështje thelbësore për forcimin e mëtejshëm të institucioneve demokratike të Shqipërisë. Shtetet e Bashkuara mbështesin miratimin e reformave të nxitura nga ekspertët zgjedhorë të OSBE/ODIHR në mënyrë që Shqipëria të mund të zhvillojë zgjedhje që janë të lira nga shtrëngimi, trysnia politike, dhe blerja e votës. Populli shqiptar nuk meriton asgjë më pak se sa kjo”, shkruhet në deklaratën e SHBA-së.


Kjo deklaratë tregon një hap drejt përmirësimit të marrëdhënieve mes PD dhe SHBA. Rikthimi i PD-së në institucione dhe në rrugën e dialogut është ajo çka SHBA ka kërkuar prej disa muajsh. Marrëdhëniet mes tyre shënuan ftohje për shkak të bojkotit të institucioneve nga ana e PD dhe veçanërisht nga përdorimi i dhunës në protesta. Por deklarata e së mërkurës tregon dhe njëherë atë që Palmer ka deklaruar prej kohësh që SHBA nuk mban anë, por kërkon respektim të institucioneve dhe dialogut për stabilitetin e vendit./realstory.al




Skip to toolbar