Kushti i PD, opozita parlamentare braktis tryezën e OSBE: Nuk jemi fasadë

AKTUALITET


Kushti i vendosur nga PD që reforma zgjedhore të mos hartohet në parlament, por në një strukturë të posaçme jashtëparlamentare të përbërë nga përfaqësues ndërkombëtarë por pa praninë e opozitës parlamentare ka nxitur debate në tryezën e OSBE-së për reformën zgjedhore. Ky kusht ka bërë që përfaqësuesit e opozitës parlamentare ta braktisin tryezën e OSBE njëlloj siç bënë edhe përfaqësuesit e opozitës jashtëparlamentare.

Deputeti Myslim Murrizi, njëherësh nënkryetar i parlamentit, u shpreh se ata po largohen nga kjo konferencë, duke u kërkuar organizatorëve të marrin votat në Partinë Demokratike.


“Ne po largohemi nga kjo tryezë, shkoni merrni votat në PD”, u shpreh Murrizi ndërsa braktisi tryezën. Në dalje deputeti i pavarur Ralf Gjoni tha se braktisën tryezën në shenjë proteste duke thënë se opozita e re nuk bëhet fasadë e një fejese mes PD dhe PS.

“Dalja jonë ishte në shenjë proteste. Ne nuk mund të bëhemi fasadë e një tryeze që kthehet me tre bashkë-kryetarë, për të na delegjitimuar ne dhe për legjitimuar një fejesë PD-PS. Nuk jemi fasadë, pa votën tonë nuk miratohet reforma”, tha Gjoni. Por teksa Gjoni po fliste për mediat, Rudina Hajdari iu drejtua duke i kërkuar që të mos bënte show. “Ralfi, mos bëj show politik, por hajde” tha ajo.

Në fjalën e saj në këtë tryezë bashkë-kryetarja e reformës zgjedhore, Rudina Hajdari kërkoi ndryshimin e sistemit, që sipas saj është problemi kryesor dhe tha se çdo pazar i fshehtë minon besimin e publikut.

“Sot vendi është në një krize besimi ndaj institucioneve. E kemi të qarte se masakra elektorale përforcoi monopolin e kryetarëve të partive. Sistemi duhet të ndryshohet. Adresimi i rekomandimeve të OSBE-së që janë injoruar nga koncensusi PD-PS duhet të jetë pjesë e një pakete më të madhe. Ne jemi të hapur, edhe atyre që braktisën parlamentin, që ti bashkohen për të kontribuar për këtë reformë të rëndësishme për të ardhmen e vendit.

Kjo reformë nuk mund të jetë më produkt i një pazari politik i dy partive, por të votohet në Kuvend me votat tona dhe më pas të ketë dakordësinë e të gjitha palëve. Presim që të dalim me një plan të qartë veprimi nga kjo tryezë, që të miratohen për zgjedhjet e ardhshme në 2021. Me nisjen nga puna të SPAK do të kemi një kornizë për hetimin dhe ndëshkimin e atyre që janë përfshirë në tjetërsimin e votës. Ne do të qëndrojmë të bashkuar në Kuvend dhe vota jonë do të shkojë drejt një reforme madhore. Çdo pazar i fshehtë minon besimin publik”, tha ajo.

Opozita parlamentare gjatë gjithë kësaj kohe është treguar e gatshme të miratoje ndryshimet në kodin zgjedhor duke kërkuar me ngulm ndryshimin e sistemit aktual zgjedhor që i jep fuqi absolute krerëve të partive për të përcaktuar listën e kandidatëve për deputetë. Por kushti i vënë nga PD që ata të përjashtohen nga reforma është i papranueshëm prej tyre./realstory.al




Skip to toolbar