Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha nisi nga premtimet që partia do të mbajë kur të vijë në pushtet gjatë një takimi me qytetarët në Elbasan. Edhe pse vetë Basha nuk e cilësoi si një takim elektoral, por bashkëbisedim me qytetarët, ai nisi nga premtimet se çfarë do të bëj PD për rininë kur ai të vihet në krye të qeverisjes së vendit. Basha tha se qeveria dështoi me politikat e ndjekura për të rinjtë, pasi pjesa më e madhe e tyre janë duke emigruar. Gjatë takimit me qytetarët dhe të rinjtë në Elbasan, Basha premtoi se PD do rikthejë shpresën e humbur tek qytetarët, përmes politikave frytdhënëse si ai i quajti.
“Vendi duhet të dalë sa më shpejt nga kjo krizë e tmerrshme, sepse rinisë ia kanë hequr të drejtat, sepse ky kryeministër, ky pushtet, ka dështuar me rininë, duke i mbajtur me rroga të tmerrshme, me kushte jetese shumë të dobëta, me gjendjen e dobët ekonomike familjare në Shqipëri. Ky kryeministër ka dështuar në mënyrë të qartë. Kjo qeveri ka vrarë shpresën, besimin tek e nesërmja dhe ka detyruar rininë të drejtohet në vetëm një shtegun e emigracionit. Nuk ka pse të jetë kështu, sepse jetojmë në një vend të bekuar dhe që banohet me njerëz punëtor e të ndershëm. Shqiptarët kanë shkëlqyer gjithmonë, por duhet një qeveri që të mbështesë këtë rini. Unë zotohem dhe PD që të kthejmë shpresën në vendin tonë, t’iu japim mundësi që të ketë këtu shanse për vende pune, përmes klimës atraktive të afrimit të investitorëve. Ne do të ndryshojmë këtë vend, ta bëjmë të atillë që ju si rini të zgjidhni të rrini këtu, të punësoheni këtu e të ndërtoni familjet tuaja këtu. Nga Elbasani PD nis turin e saj bashkëbisedues me rininë dhe shqiptarët”, tha Basha.
Arsimi ishte një tjetër pikë e diskutimit, ku Basha premtoi bursa 100 % për studentët që vijnë nga familje të varfra. Basha tha se kur PD të vij në pushtet do të sigurojë praktikën dhe punësimin e të rinjve.
“Çdo student me të ardhura të ulëta do të përfitojë 100 bursë. Kush ka të ardhura mbi 640 mijë lek në muaj, bursë 50 %. Studenti do të ketë një trajektore të qartë për orientimin që ka marrë, modeli i dyfishtë. Praktikë- punë dhe 10 mijë më të mirë do të kenë stazh të paguar nga shtetit. Paguan nga buxheti i shtetit. Modernizimi i universiteteve, sjellja e pedagogëve më të mirë. Ky është plani i cili është në kontradiktë të plotë me lajmet që vijnë nga Elbasani, ku janë mbyllur 12 degë”, tha Basha.
Kreu i PD nga 4 nëntori tha se do të nis takimet në çdo qytet të Shqipërisë me qytetarët me turin e tij “Rrugëtim për Shqipërinë”. Objektivi i këtyre takime me qytetarët, siç njoftoi PD-ja, është projekti i zgjidhjeve afatgjata, për çdo çështje dhe problematikë që qytetarët do të ngrenë me Bashën. Në këtë mënyrë Basha po shikon një strategji të re për marrjen e pushtetit. Ai hoqi dorë nga protestat e dhunshme dhe po përdor mënyra demokratike dhe paraqitjen e alternativave dhe programeve për qytetarët, për rifitimin e besueshmërisë.