Basha sulmon OSBE. Pranon dialog me Ramën (por problemi është Gjiknuri)

AKTUALITET


Lulzim Basha ka folur pasditen e të mërkurës për mediat, pak orë pas letrës publike që Kryeministri Edi Rama i bëri liderëve të opozitës, ku i ftonte për dialog. Kreu i PD-së nuk dha një përgjigje të prerë nëse do e pranonte apo jo ftesën e Ramës për dialog. Megjithatë, ndër fjalë, ai la të kuptohet se është gati për bisedime, por duke vendosur një kusht, largimin e Damian Gjiknurit si Kryetar i Komisionit për Reformën Zgjedhore. “Sot prioritet është zgjidhja e krizës, politike. Zgjidhja e krizës është prioritet absolut i Shqipërisë, i PD-së dhe opozitës së bashkuar. Këtë krizë nuk e ka shkaktuar kodi zgjedhor, kushtetuta dhe ligjet e Shqipërisë. Kushtetuta dhe ligjet nuk janë përgjegjëse as për Valdrin Pjetrin, Mark Babanin dhe Agim Kajmakun. Nuk mund të fshihemi pas letrave dhe kërkesave të pa sinqerta dhe provokimeve të rënda, ftesës nga një individ, i dyshuar kryesor për dosjen 184. Nëse ideja për Kodin Zgjedhor përfshin Gjiknurin, të ftojnë Avdylajt, Shullazin, Ymer Lalën dhe të tjerë se kjo është një tallje”, tha Basha.

Më tej, gjatë deklartës së tij, kryedemokrati la të kuptohet se Reforma Zgjedhore  do të jetë pikëtakimi i dialogut me mazhorancën. Megjithatë, për këtë ai u shpreh se së pari duhet ndarja e krimit nga politika, dhe më pas, së bashku me reformën zgjedhore, duhet dhe një reformë politike.  “Opozita po përgatit platformën e saj, do të bëjë publike dhe do ta diskutojë. Po jemi të vendosur, reforma zgjedhore ka rëndësinë e saj, por zgjidhja e krizës politike kërkon vullnet politik. Letra të hapura dhe përfshirja e individë të përfshirë në dosjen 184. Hapi i parë duhet të jetë pranimi i situatës në vend, i paligjshmërisë ku e ka futur vendin kryeministri. Kjo mund të shtrojë bazën për daljen nga kriza, ndarjen e krimit nga politika. Një reformë e plotë zgjedhore bashkë me një reformë politike” deklaroi ai.

Gjatë fjalës së tij, Basha sulmoi dhe prezencën e OSBE-së në Tiranë. Sipas tij, pas raportit të OSBE/ODIHR, prezenca e OSBE në Tiranë nuk ka thënë asnjë fjalë për zgjedhjet dhe kryebashkikët, që sipas Bashës, kanë rekorde kriminale. “Ne u kemi dhënë një përgjigje ndërkombëtarëve. Nuk jemi ne pengesa për një proces transparent, parimor dhe gjithëpërfshirës për zgjidhjen e krizës, po Edi Rama që nuk mund të fshihet pas letrave publike, që çon pas Damian Gjiknurit. Sa i përket OSBE-së në Tiranë, pres që të shprehet për raportin e OSBE-së, tre kryebashkiakët me rekorde kriminale dhe shkeljet e rënda të Kushtetutës. Nuk kemi dëgjuar asgjë nga OSBE-ja, por kjo është dicka përtej mandatit dhe gjykimit tim” tha Basha. 

Megjithatë, Basha nuk e përmendi largimin e Ramës, tonet e tij ishin më pak të ashpra nga e kaluara. Së paku, ai la të kuptohet se është gati për dialog, duke vendosur dhe kushtetet për t`u ulur në tryezë. Në fakt, aleatët e Lulzim Bashës,  fill pas përfundimit të zgjedhjeve t ë30 qershorit kanë kërkuar dialog me Kryeministrin, ku hapin e parë e bëri Monika Kryemadhi, e cila u shpreh e para se “ishte gati të shkonte në zgjedhje me Ramën”. /Realstory.al/



Skip to toolbar