Kreu i PD-së, Lulzim Basha iu bashkua të mërkurën protestës së artistëve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe u duk sikur do të qëndronte gjatë me ta, për shkak të retorikës së ashpër kundër qeverisë. Pasi foli për mediat dhe dha deklaratën e tij, Basha u fut brenda godinës së Teatrit dhe qëndroi më pak se një orë. Gjatë gjithës kohës u pa duke folur në telefon dhe duke shkëmbyer mesazhe dhe më pas u largua nga salla.
I pyetur nga gazetarët se pse po largohej Basha tha se kishte një drekë, ndërkohë që njoftoi se të enjten PD do të nënshkruaj një marrëveshje me përfaqësuesit e Alencës për mbrojtjen e Teatrit.
Ai tha se PD do vijojë të mbështesë aksionin e Aleancës për Teatrin për të mbrojtur godinën.
Ndërkohë punonjësit vazhdojnë aksionin për zbrazjen e Teatrit Kombëtar, ndërsa një pjesë e artistëve vijojnë rezistencën e tyre në mbrojtje të godinës.
Teatri kombëtar u kthye në një kauz politike për opozitën e cila në fakt gjatë këtyre viteve është treguar e gatshme të shfrytëzojë protestat e të tjerëve. Kështu bëri PD edhe në rastin e protestës së studentëve, apo në rastin e protestës së banorëve të Astirit.