Bashkëkryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën Territoriale, Arbjan Mazniku, ka deklaruar se mazhoranca i ka dhënë kohë bashkëpunimit me opozitën, por sipas tij, kjo marrëveshje nuk funksionoi.
Mazniku tha se puna e komisionit u pengua nga mungesa e opozitës në fazën e parë të procesit. Sipas tij, mazhoranca ka marrë një mandat politik nga qytetarët dhe është përballur me nevojën për të riorganizuar pushtetin vendor, pasi bashkitë e vogla, sipas tij, nuk kanë kapacitetet e nevojshme për të përmbushur funksionet e tyre.
Mazniku theksoi gjithashtu se gjatë dëgjesave publike qytetarët kishin kërkuar një institucion vendor më pranë tyre.
” I dhamë kohën e mundshme marrëveshjes me opozitën, që nuk funksionoi. Opozita ka bllokuar. Ka 217 ditë komisioni, 121 ditët e para opozita nuk erdhi fare, u dogj 40 për qind e kohës. Kemi marrë një mandat politik nga njerëzit, u gjendëm para një presioni, bashkitë e vogla nuk i ofrojnë dot funksionin e tyre. Na duhen bashki të mëdha me më shumë kapacitet. Në dëgjesa, njerëzit na thonin që duhet të kemi një institucion që na rri afër. Zgjidhja që ne bëmë, që është produkt i konsultimeve, propozuam 71, me amendamentin e fundit u bënë 77.”


