Policia italiane ka arritur të shkatërrojë një bandë shqiptarësh që vepronin në Firenze dhe zonat periferike rreth saj. Pesë shqiptarët nga Miloti akuzohen për vjedhje në zonat e Arezzo midis Valdarno dhe Casentino. “Shqiptarët e prangosur banonin përkohësisht në Firenze, dhe janë të moshës nga 21 deri 37 vjeç”, shkruajnë mediat italiane.
Vjedhjet dyshohet se kanë ndodhur midis 16 dhe 20 korrikut në zonën e Arezzo dhe në veçanti në San Giustino Valdarno, Loro Ciuffenna, Castelfranco Piandiscò dhe Poppi. Të pesë burrat me sa duket kishin bazën e tyre në Firence, nga ku organizonin grabitjet.
Raportohet se shqiptarët kishin mundur të hyjnë nëpër banesa dhe kanë vjedhur rreth 18 mijë euro. Banda kishte dështuar në disa raste të kishte sukses në grabitje. Shqiptarët janë paraburgosur tashmë, ndërsa hetimet kanë mundur të regjistrojnë biseda mes tyre ku flitet për “operacionet” e grabitjeve. Po ashtu, janë marrë edhe gjurmë të të arrestuarve.
Të pesë të arrestuarve janë plagosur gjatë përleshjeve që kishin me policinë. Madje, kishte rezistencë të fortë nga grabitësit e dyshuar. Agresioni ndaj policisë ka përkeqësuar situatën e tyre, pasi do të duhet të përballen edhe me akuza të shtuara që kanë të bëjnë me kundërshtim dhe dhunim të zyrtarit publik.
“Vetëm të vdekur mund të na kapin” ishte motoja e pesë djemve nga Miloti. Sipas mediave, djemtë ishin të afërm dhe i përkisnin familjeve me mbiemër Veseli, Gega dhe Cera. Tre prej tyre kanë precedentë të mëparshëm penalë, ndërsa dy të tjerë nuk janë të njohur në drejtësinë italiane.
Sipas karabinierëve, njëri nga grabitësit në momentin e operacionit u mundua të arratisej. Ai u hodh nga kati i gjashtë i një pallati në ballkonin e një apartamenti në kat të katërt të pallatit përballë. Nga kjo ngjarje mbetën të lënduar edhe 3 policë.
Shqiptarët për policinë italiane ishin shumë të rrezikshëm. Ata kryenin grabitje edhe nëse pronarët ndodheshin brenda banesës. Një prej drejtuesve të policisë franceze, Nino De Santis, ka treguar se vodhën 30 gramë flori nga banesa e një plake ndërkohë që ajo flinte.
Nga përgjimet është zbuluar se për të nënkuptuar arin thoshin fjalën “pikë”. Gjithashtu kapja e tyre ishte shumë e vështirë. Kjo pasi për një kohë të shkurtër ndërruan 5 makina, ndërsa punët nuk i kryenin gjatë orëve të vona të natës, por mbrëmjeve.