Baze: Kodi i 2008 ka rënë bashkë me arsyet përse u bë

Më të fundit


Debati mbi një Kod të ri zgjedhor është një ndërmarrje serioze e politikës dhe nuk bëhet në një klimë abuzimi, ku gjithë palët akuzojnë njëra- tjetrën për pazare apo teori konspiracioni. Dy herë politika shqiptare gjatë tridhjetë e katër viteve ka pasur një konsensus për Kodin elektoral.

I pari ka qenë për ligjin zgjedhor të vitit 1992, i cili për mua mbetet ligji më i mirë i gjithë kohërave, pasi është i drejtë, barazon votën e qytetarit me vlerën e një vote kudo dhe nuk persekuton askënd.


Ligji në thelb është proporcional me garë maazhoritare, ku në 100 zona konkurrojnë deputetë dhe pas zgjedhjeve partitë korrektojnë rezultatin, duke marrë aq deputetë sa u takojnë nga përqindja që kanë marrë.

Fjala vjen, nëse një parti ka fituar 55 për qind të votave, në fund shikohet sa deputetë ka marrë dhe nëse nuk ka 55 për qind të Parlamentit, i plotësohet nga lista proporcionale.

Falë këtij ligji, socialistët më 1992 fituan 38 për qind të votive, por vetëm 6 deputetë fituan direkt në terren. Atëherë ata u kompensuan për 38 për qind.

Kurrë nuk e kam kuptuar urrejtjen ndaj këtij ligji të drejtë dhe në thelb proporcional nga Berisha, por më pas dhe nga PS. Kanë bërë çdo eksperiment, përveç atij ligji nuk i janë kthyer më. Ai kombinon dhe garën në terren, dhe drejtësinë për votën.

Ligji u hartua në atë kohe nga Aleksandër Meksi, Skënder Gjinushi, Kastriot Islami dhe Ylli Bufi dhe ndoshta mbetet ligji më i mirë i histories, për shkak se konsensusi politik që e prodhoi ishte ende pa paramendime për prekje zgjedhjesh. Ishin zgjedhjet e para të lira në vend.

Më pas Berisha hoqi dorë nga ky zakon. Marrëveshja e dytë e madhe është ajo e 2008. Në fakt ajo shitet si konsensus i madh, por më shumë ishte një konsensus i detyruar, pasi Berishës i plasi Gërdeci dhe kishte alternativë ose të duronte ofensivën e Ramës, që i fuste brenda djalin e përzier ne Gerdec, ose t’i japte atij çfarë donte. Në një farë mënyre ishte një gjobë e Edi Ramës ndaj Sali Berishës, që e kapi në krim.

Ky ishte i vetmi motiv që gjunjëzoi Berishën për konsensus. Dhe aty ashtu i gjunjëzuar, ai gjeti mundësi të prodhonte një hile të rëndë, që deformonte votën, siç qe koalicioni i përbërë, që nënkuptonte një tren me 40 parti të vogla, votat e të cilave pastaj i shkonin PD në krye.

Ligji i shërbeu Edi Ramës të forconte autoritetin brenda PS dhe Sali Berishës të shpëtonte nga disidentët e Bamir Topit, duke i vënë në rresht. Por tani ai ligj ka rënë. Ka rënë pikësëpari koalicioni i përbërë, që ishte i vetmi as i Berishës në atë ligj, dhe po ashtu kanë rënë dhe listat e renditura, pasi Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim kundër herësit, duke i lënë praktikisht listat të hapura.

Palët duhet të bien dakord vetëm për një formulë të llogaritjes së mandateve.

Propozimi i Lulzim Bashës për një zonë zgjedhore të vetme, e kthen sistemin në proporcional kombëtar, nën arsyetimin se vendos barazinë e votave. Kjo do sjellë nevojën e një pragu te lartë, ndoshta 5 për qind për një filtër në Parlament.

Por thelbi është që Kodi zgjedhor duhet bërë njëherë e mirë, si një Kod i ndershëm, që vendos barazi të votës dhe vlerë të njëjtë të saj në gjithë vendin, dhe mbi të gjitha t’i jepet një zgjidhje afatgjatë dhe votës së emigrantëve, të cilët jo doemos duhet të kenë peshën e qytetarit që jeton në Shqipëri kur votojnë, përveç atyre që duan të vijnë të votojnë këtu. Dhe për këtë duhet një marrëveshje e madhe mes gjithë palëve.

Më 1992 konsensusin e imponoi dëshira e gjithë palëve për të qenë të ndershëm, se ende nuk e njihnin vlerën e vjedhjes së votës. Në 2008 e imponoi Gërdeci, pasi gjunjëzoi familjen Berisha të kapur në krim.

Tani nuk e di kush mund ta imponojë, pasi nuk shikoj as ndonjë dëshirë për barazi të votës dhe zgjedhje të ndershme si më 1992, dhe as ndonjë hall të Edi Ramës që të dorëzohet si Berisha më 2008. Ndaj merreni më lehtë se mund të mbeteni pa Kod zgjedhor fare në kulmin e “normalizimit”.




Skip to toolbar