Kryeministri Edi Rama është pritur në Tokyo nga homologja japoneze Sanae Takaichi, e cila vlerësoi rolin e Shqipërisë në stabilitetin e Ballkanit Perëndimor dhe rikonfirmoi mbështetjen e Japonisë për integrimin e vendit në Bashkimin Europian.
Gjatë takimit, Takaichi theksoi se Shqipëria mbetet një partnere e rëndësishme për Japoninë, me të cilën ndan parime dhe vlera të përbashkëta, ndërsa përshëndeti progresin e negociatave të anëtarësimit në BE.
Kryeministrja japoneze deklaroi se, në kuadër të nismës së bashkëpunimit me Ballkanin Perëndimor, Japonia do të vijojë të mbështesë fuqimisht rrugën europiane të Shqipërisë, duke shprehur gjithashtu respekt për kontributin aktiv të Tiranës në ruajtjen e stabilitetit rajonal dhe përkrahjen ndaj vizionit për një indo-paqësor të lirë dhe të hapur.
“E mirëpres me zemër vizitën e kryeministrit Rama sot. Jam shumë e lumtur t’ju takoj sot për herë të parë. Shqipëria është një partnere e rëndësishme me të cilën ndajmë parime dhe vlera të përbashkëta.
Jemi të kënaqur që negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Europian po përparojnë në mënyrë të qëndrueshme. Japonia në kuadër të nismës së bashkëpunimit me Ballkanin Perëndimor do të vijojë të mbështesë fuqimisht anëtarësimin e Shqipërisë në BE.
I shpreh respekt Shqipërisë për kontributin aktiv që jep në stabilitetin rajonal. Ju falënderoj për mbështetjen e vizionit për një indo-paqësor të lirë dhe të hapur”, tha kryeministrja japoneze.
