Baze: Në pritje për një “amnisti” për patatet e Shishtavecit 

Më të fundit


Për të kuptuar sa të ngrira janë raportet mes Shqipërisë dhe Kosovës këto 22 vite të lirisë së saj, mjafton deklarata e sotme e kryeministrit Edi Rama që premton se do të heqë tarifat doganore me Kosovën. Në pamje të parë duket një sakrificë e madhe e kryeministrit, por realisht është vetëm një segment i mallrave ushqimorë që importohen nga Kosova. Ato kanë tarifë doganore të vendosur në mënyrë bilaterale mes dy vendeve, për të mbrojtur tregun ndaj njëra-tjetrës. 
Përtej kësaj, Shqipëria dhe Kosova janë pjesë e CEFTA, ku gjashtë vendet prej kohësh kanë rënë dakord të heqin tarifat doganore me njëra tjetrën. 
Të vetmet tarifa janë ato që Shqipëria dhe Kosova i kanë vendosur njëra tjetrës për ushqimet, patatet apo rrushin, si dhe tarifat administrative si plumbosje, peshim, parkim në dogana. 
Kjo në fakt tregon dramën reale të raporteve mes dy vendeve. 
Tregu i Shqipërisë dhe ai i Kosovës kanë politika mbrojtëse ndaj njëri-tjetrit dhe jo politika shkrirje me njëri tjetrin, çka tregon se politika ekonomike në Shqipëri dhe Kosovë nuk është një strategji e ndërtuar nga politika që deklarohet, por nga faktorët ekonomik në Shqipëri dhe Kosovë që duan të mbrojnë tregjet e tyre. 
E thënë në mënyrë më pezhorative, “oligarkët” e Shqipërisë dhe Kosovës kanë diktuar deri më sot raportet tregtare përmes politikës doganore prej vitesh. Ka pasur zëra dhe më parë, sa herë bëheshin mbledhjet patetike mes dy qeverive, se heqja e tarifave doganore në fushën e industrisë ushqimore pengohet nga tregtarët e mëdhenj dhe duket që ka qenë e vërtetë. 
Ndoshta për këtë arsye, shumë njerëz në Kosovë janë bërë nervoz pse Edi Rama ka vizituar kompaninë “Devolli”, pasi, pas këtij vendimi ajo është favorite në tregun e Shqipërisë, dhe e mbrojtur në tregun e Kosovës, nëse Kosova nuk na i heq tarifat. Ndërkohë ajo është e privilegjuar në Serbi nga ku importon shumicën e artikujve. I shoqëruar dhe nga Ministrja e Bujqësisë, duke takuar biznese të industrisë ushqimore në Kosovë,  Edi Rama ngjante më shumë sikur po ndante fonde AZHBR dhe në Kosovë, e po i trajton ato tani si biznese të tregut të Shqipërisë.  
Hapi i njëanshëm i qeverisë së Tiranës  është një hap pozitiv, por nuk është një vendim që synon të ndihmojë Kosovën, por një vendim që synon të mos e persekutojë në kuadrin e Ballkanit të Hapur. Shpjegimi i Edi Ramës që këtë privilegj do ta kenë dhe vendet e tjera që janë në kuadrin e Ballkanit të Hapur, si Maqedonia, Serbia apo Mali i Zi, ndoshta mund t’ia shtojë inatin Qeverisë së Kosovës të mos i heqë ajo tarifat doganore për Shqipërinë. Kjo pastaj do të jetë një eksperiment fiskal në natyrë, për të parë se si do riformatohen tregjet në Ballkan pas këtij hapi. 
Por në finale, ky vendim tregon se sa vonë dhe pa vizion është politika e bashkëpunimit ekonomik Shqipëri-Kosovë dhe sa e rrezikshme është që Kosova të izolohet nga ri formatimi i tregut rajonal për shkak të politikave të reja fiskale në kuadrin e një iniciative politike. 
Deri më sot Kosova dhe Shqipëria kanë gënjyer njëra-tjetrën në mbledhje qeverie pompoze, ku më shumë është harxhuar për dekorin dhe drekat, se sa për ekonominë dhe bashkëpunimin. 
Ky është vendimi i parë që mund t’i bëjë nervoze mbledhjet e qeverive, ose mund t’i shkatërrojë fare, pasi është një akt që ka ndikim të drejtpërdrejt në tregun e dy vendeve. Në rastin konkret, ky vendim ndihmon tregun e Kosovës të depërtojë në Shqipëri, pra është një lajm i mirë për Kosovën.  
Nëse Kosova nuk e bën të njëjtën gjë për Shqipërinë, por e mbron tregun e saj me tarfia doganore nga mallrat ushqimore të Shqipërisë, është duke mbrojtur “oligarkët” e saj, nga konkurrenca e Shqipërisë. Por dhe ashtu, ne nuk është se kemi shumë mallra ushqimorë që çojmë në Kosovë, përveç produkteve sezonale; shalqinjtë e Bubullimës siç u thotë Frida, mandarinat e Xarrës dhe patatet e Shishtavecit. Gjë tjetër nuk çojmë në Kosovë. Ah po, dhe këta këshilltarët e Vetvendosjes. 
 





Skip to toolbar