BE mobilizon 220 milionë euro për transferimin e pacientëve me COVID-19

CORONAVIRUS


Bashkimi Europian mobilizoi 220 milionë euro për financimin e transferimit të pacientëve të prekur nga COVID-19 nga një vend në tjetrin, për lehtësimin e spitaleve të mbingarkuara nga vala e dytë e pandemisë, njoftoi sot presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.


“Për të lehtësuar këto transferime, shtetet duhet të ndajnë të dhënat ekzakte dhe në kohë reale nëpërmjet një platforme të krijuar në nivel europian”, theksoi ajo në një konferencë shtypi në përfundim të një samitit që mblodhi 27 vendet e Bashkimit Europian. Përdorimi i duhur i fondeve kërkon informacion të mirë”, paralajmëroi ajo.

Këto të dhëna, të mbledhura përmes Qendrës Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve, do të identifikojnë kapacitetet në njësitë e kujdesit intensiv.

Përballë rritjes së rasteve në mbarë kontinentin, krerët e shteteve dhe qeverive janë thirrur nga Brukseli për të koordinuar më mirë përgjigjet e tyre shëndetësore.

“Ne do të prezantojmë një platformë për të bërë bashkë ekspertët që ofrojnë këshilla për qeveritë kombëtare, në mënyrë që të ndajnë praktikat më të mira, të harmonizojnë rekomandimet shkencore dhe të shmangin dërgimin e mesazheve kontradiktore”, theksoi Von der Leyen.

Ajo bëri thirrje për forcimin e ndërveprimit të aplikacioneve kombëtare të gjurmimit. Tre janë lidhur tashmë me sistemin e hyrjes të vendosur nga Brukseli në kuadër të rilidhjes mes tyre dhe 19 aplikime duhet të ndiqen.

Pesëdhjetë milionë europianë kanë shkarkuar tashmë programe të tilla. Kancelarja gjermane Angela Merkel u bëri thirrje homologëve të saj që të mos mbyllin kufijtë e tyre.

“Për Gjermaninë, një vend në mes të Europës, është e rëndësishme që kufijtë të qëndrojnë të hapur, që ekonomia të vazhdojë të funksionojë dhe që të luftojmë së bashku pandeminë”, theksoi ajo, sipas një deklarate nga Berlini.

“Ne kemi nxjerrë mësime nga vala e parë, kur instikti në fillim të krizës ishte mbyllja e kufijve”, theksoi për shtypin presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel.