Delegacioni i BE-së në Tiranë i bën apel aktorëve politike që të mbajnë përgjegjësi për të siguruar zhvillimin pa asnjë pengesë të zgjedhjeve të 30 qershorit.
BE bën thirrje që zgjedhjet e 30 qershorit të jenë të rregullta dhe paqësore dhe të gjithë shqiptarët të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar.
“Qytetarët shqiptarë duhet të jenë në gjendje të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar në mënyrë të rregullt dhe paqësore. Duke pasur parasysh votimet që do të zhvillohen më 30 qershor 2019, është e domosdoshme që qytetarët që ushtrojnë të drejtat e tyre ta bëjnë këtë në një mënyrë të rregullt. Është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e të gjithë aktorëve politikë për të siguruar që veprimtaritë e votimit të mos pengohen”, shkruhet në deklaratë.
BE thekson se çdo veprim i dhunshëm është i papranueshëm, ndërsa i bën thirrje politikanëve që të shmangin retorikën provokuese. BE garanton se zgjedhjet do të monitorohen nga OSBE/ODIHR, pjesë e së cilës janë vëzhgues nga disa vendeve anëtare të unionit.
“Demonstrata e zhvilluar në Tiranë më 21 qershor 2019 ishte e paqësore dhe të njëjtat parime dhe vlera demokratike duhen ruajtur këtë fundjavë. Çdo veprim i dhunshëm apo çdo formë nxitjeje për dhunë janë absolutisht të papranueshme në çfarëdo lloj rrethane. Të gjitha palët politike duhet të tregojnë përmbajtje dhe të shmangin retorikën provokuese. Procesi i votimit do të vëzhgohet nga një mision ndërkombëtar i drejtuar nga OSBE/ODIHR që përfshin vëzhgues nga disa vende anëtare të Bashkimit Evropian”, shkruhet në deklaratë.
BE gjithashtu apelon që politikanët të angazhohen në një dialog për gjetjen e një zgjidhje për të kapërcyer situatën aktuale politike.
“Të gjitha palët duhet të angazhohen në një dialog të mirëfilltë, sa më shpejt që të jetë e mundur, për të kapërcyer situatën aktuale politike në mënyrë që t’i përqëndrojnë përpjekjet e tyre në mbështetjen dhe konsolidimin e progresit të bërë nga Shqipëria deri më tani në procesin e reformave në rrugën e saj të integrimit në Bashkimin Evropian”, përfundon deklarata.
Ky reagim i BE-së, vjen pas deklaratës së zv. Ndihmës Sekretarit të shtetit të SHBA-së, Mathew Palmer i cili tha se qeveria amerikane njeh zgjedhjet e 30 qershorit në Shqipëri duke rrëzuar në këtë mënyrë dekretin e 3-të të presidentit Meta që zgjedhjet të zhvillohen në 13 tetor.