BE: Njohim të zgjedhurit e rinj lokal, tani dialog

Më të fundit


Bashkimi Europian ka “certifikuar” procesin e zgjedhjeve të 30 qershorit dhe i ka vlerësuar ato të qeta dhe të rregullat, ashtu siç bëri pak më parë edhe Ambasada Amerikane.

Zëdhënësja e Përfaqësueses së Lartë për Politikën e Jashtme, Federica Mogherini, Maja Kocijancic deklaroi e pavarësisht ndarjes politike, zgjedhjet ishin të rregullta. Madje ajo tha se të zgjedhurit e rinj në krye të bashkive do të jenë në gjendje të kryejnë të gjitha kompetencat kushtetuese, duke njohur ligjshmërinë e zgjedhjes së tyre. Kjo rrëzon kreun e Bashkisë Kamëz, Xhelal Mziu, i cili ka thënë se nuk e liron karrigen e tij, pasi nuk i njeh këto zgjedhje.

“Zgjedhjet lokale të zhvilluara në Shqipëri të dielën më 30 qershor u zhvilluan në një kontekst të ndarjes politike, por në një mënyrë përgjithësisht të qetë dhe të rregullt. Ne morëm parasysh të gjitha vërejtjet paraprake të bëra nga shefi i Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të OSBE / ODIHR. Organet lokale të sapo zgjedhura tani duhet të jenë në gjendje të punojnë sipas kompetencave të tyre kushtetuese, në dobi të qytetarëve të vendit.” – thotë Kocijancic.

Zëdhënësja e BE, Kocijancic bëri thirrje që palët të tregojnë pjekuri politike dhe të ulën në dialog për të kapërcyer krizën dhe të punojnë për reformat me rëndësi për vendin.

“Siç thuhet në mënyrë të përsëritur: qeveria dhe opozita duhet të tregojnë pjekuri politike dhe të angazhohen urgjentisht në dialog konstruktiv për të kapërcyer situatën aktuale politike. Të gjitha institucionet shqiptare dhe udhëheqësit politikë tani duhet të përqendrojnë përpjekjet e tyre në vijueshmërinë e zbatimit  të procesit të reformës, duke përfshirë rinisjen e reformës së iniciuar më parë të legjislacionit zgjedhor për të adresuar rekomandimet e ODIHR-it.” – thuhet në reagimin e saj.



Skip to toolbar