Ben Qimja kërcënoi për pronat/ Gjyqtari i kërcënuar ka çështjen e pronave të familjes së tij

AKTUALITET


Një ditë pas kontrollit që forcat renea ushtruan në banesën e personazhit të njohur të drejtësisë, Ben Qimja, mësohet se 55-vjeçari ka kërcënuar gjyqtarin për një gjyq pronash.

Dokumentet të cilat u sekuestruan në banesën e Arben Isufit, kishin lidhje me një çështje pronash në emër të të afërmve të tij. Është pikërisht kjo çështje për të cilën gjyqtari I Fierit, Vladimir Cjapi është kërcënuar nga Arben Isufi.

Vetëm pak orë pas kontrolleve të enjten, gjyqtari I Fierit dhe familjarët e tij janë marrë në mbrojtje pas kanosjes që mori nga Ben Qimja. Sipas gjyqtarit të Fierit Vladimir Cjapi, kërcënimi është bërë në datën 12 shkurt, ndërsa kallëzimi është bërë pranë Prokurorisë së Fierit 5 ditë më vonë, më 17 shkurt.

Gjatë kontrolleve, Ben Qimja nuk u gjet në banesën e tij në lagjen Sheq i Madh në Fier. Por aty, në automjete dhe ambiente në pronësi të tij, policia gjeti 1 pistoletë, 2 targa të huaja, jelek të policisë, 2 pajisje DVR, 6 celularë dhe dokumente të cilat do t’i shërbejnë hetimeve.

55-vjeçari është shpallur në kërkim për veprat penale “Kanosja e gjyqtarit” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Ben Qimja ka qenë subjekt i ligjit “Antimafia” dhe në vitin 2023, me vendim të gjykatës së Posaçme, iu konfiskua pasuri e pajustifikuar e që dyshohet se rrjedh nga krimi, aksione të një kompanie, mijëra metra katrorë tokë truall, arë dhe 6 automjete luksoze.

55-vjeçari është përballur disa herë me drejtësinë ne vendin tonë, por rezulton i padënuar me vendim të formës së prerë. 11 vite më parë mori pafajësinë në Itali, në akuzë për trafikimin e lëndëve narkotike nga Holanda në vendin fqinj./



Skip to toolbar