Mungesa e lejes së drejtimit, moti i keq dhe shpejtësia, dyshohet se janë shkaqet kryesore që çuan në aksidentin tragjik me dy viktima dhe tre të plagosur rëndë të dielën. Sipas News 24, drejtuesi i mjetit 18-vjeçari me inicialet F.Sh., nuk dispononte patentë për drejtimin e mjetit.
Ai dyshohet se kishte marrë makinën e të atit, për të shkuar në një festë ditëlindje bashkë me dy vajzat që mbetën viktimë dhe dy të mitur të tjerë. Konkretisht, të rinjtë kishin dalë për të festuar ditëlindjen e 14-vjeçares me inicialet L.M., e cila ndodhet në spital pasi mbeti e plagosur në aksidentin e Bërzhitës.
Pak pas aksidentit, i riu ka dalë nga makina dhe pasi ka bërë disa hapa, ka rënë në tokë duke humbur ndjenjat. Ai ndodhet në gjendje shoku në spital. Aksidenti i rëndë, ku humbën jetën dy vajza të moshës 17 vjeç, ndodhi mëngjesin e të hënës në aksin e vjetër rrugor Tiranë-Elbasan. Ndërsa të plagosur mbetën tre persona, mes tyre dhe drejtuesi i mjetit.