Bërzhitë, festuan ditëlindjen, gjetën vdekjen

Mungesa e lejes së drejtimit, moti i keq dhe shpejtësia, dyshohet se janë shkaqet kryesore që çuan në aksidentin tragjik me dy viktima dhe tre të plagosur rëndë të dielën. Sipas News 24, drejtuesi i mjetit 18-vjeçari me inicialet F.Sh., nuk dispononte patentë për drejtimin e mjetit.

Ai dyshohet se kishte marrë makinën e të atit, për të shkuar në një festë ditëlindje bashkë me dy vajzat që mbetën viktimë dhe dy të mitur të tjerë. Konkretisht, të rinjtë kishin dalë për të festuar ditëlindjen e 14-vjeçares me inicialet L.M., e cila ndodhet në spital pasi mbeti e plagosur në aksidentin e Bërzhitës.

Pak pas aksidentit, i riu ka dalë nga makina dhe pasi ka bërë disa hapa, ka rënë në tokë duke humbur ndjenjat. Ai ndodhet në gjendje shoku në spital. Aksidenti i rëndë, ku humbën jetën dy vajza të moshës 17 vjeç, ndodhi mëngjesin e të hënës në aksin e vjetër rrugor Tiranë-Elbasan. Ndërsa të plagosur mbetën tre persona, mes tyre dhe drejtuesi i mjetit.

Aksidenti te tuneli, viktima ishte vëllai i deputetes së PS

Të tjera detaje dalin në dritë nga aksidenti tragjik që ndodhi mbrëmjen e të shtunës në tunelin e Krrabës, ku mbeti i vdekur 37-vjeçari Elton Maçolli.

Viktima e aksidentit fatal, ishte vëllai i deputetes socialiste Blerina Gjylameti.

Elton Maçolli punonte prej kohësh si “Teknik Bordi i Helikopterëve” në bazën e Farkës në kryeqytet, mësoi Realstory.al.

37-vjeçari humbi jetën në aksidentin tragjik të së shtunës në mbrëmje, kur ishe duke lëvizur në aksin rrugor Tiranë-Elbasan.

Sipas informacionit zyrtar të policisë, Maçolli humbi kontrollin e mjetit të tij tip “Seat”, brenda në tunelin e Krrabës gjatë kohës që lëvizte në drejtim të Elbasanit.

Si pasojë e humbjes së kontrollit të mjetit, i riu është përplasur me një kamion, i cili drejtohej nga shtetasi me inicialet D.Sh., 33 vjeç banues në Elbasan.

Përplasja ishte e rëndë, duke shkaktuar dëmtime të mëdha në mjetin që drejtohej nga Maçolli, ndërsa vetë ai humbi jetën tragjikisht.

Aksidenti tragjik në Pogradec, identifikohet viktima dhe të plagosurit

Disa orës pas aksidentit tragjik në aksin rrugor Pogradec-Korçë, janë zbardhur detaje të reja. Fillimisht, mësohet se viktima e këtij aksidenti, ka qenë 55-vjeçari Agron Qamo, banues në kamzës. Në momentin e aksidentit, viktima ka qenë duke drejtuar mjetin tip “Golf”, ndërsa brenda tij kanë qenë disa anëtar të tjerë të familjes.

Konkretisht, mësohet se në mjetin ku mbeti i vdekur shoferi, udhëtonin dhe dy gra të tjera, Fiqirete Qamo 79-vjeçe dhe Gentjana Akballa, mosha e të cilës nuk bëhet e ditur, ndërsa mësohet se ajo ndodhet në reanimacion në spital në gjendje të rëndë Shëndetësore.

Ndërkohë, brenda mjetit ku mbeti i vdekur shoferi 55-vjeçar, ka qenë dhe një vajzë e mitur në moshën 10-vjeçe, e cila gjithashtu ka mbetur e plagosur dhe ndodhet në spital. I plagosuri i katërt i këtij aksidenti është shtetasi Daniel Hyka 32-vjeç, i cili ka qenë drejtues i mjetit tip “Benz”.

Paraprakisht mësohet se shkak i aksidentit ka qenë një parakalim i gabuar. Ndërkohë që policia vijon hetimet për zbardhjen e tij. Viktima e aksidentit, 55-vjeçari Agron Qamo, ka mbetur për më shumë se një orë në mjet, deri sa në vendin e ngjarjes kanë shkuar forcat zjarrfikëse që kanë bërë të mundur nxjerrjen e trupit të viktimës nga mjeti.

Vlorë, motori përplaset me makinën dhe shpërthen në flakë

Një aksident i rëndë ka ndodhur në rrugën Transballkanike, ku një motor është përplasur me një makinë dhe më pas ka shpërthyer në flakë. Ngjarja ka ndodhur pranë një pike karburanti në zonën e Skelës në Vlorë, fatmirësisht pa shënuar viktima.

Dyshohet se shkak i aksidentit ishte shpejtësia me të cilën po lëvizte motori gjë që ka bërë që drejtuesi të humbë kontrollin dhe të devijojë rrugën duke u përplasur me makinën. Makina tip “BMW” me targa AA708 VC po vinte nga një rrugë dytësore, edhe në momentin që po futej në rrugën Transballkanike është përplasur me motorin që po vinte me shpejtësi. Si pasojë e goditjes, motori ka fluturuar disa metra në rrugë dhe më pas ka marrë flakë.

Drejtuesi i motorit fatmirësisht e ka mbajtur në jetë kaska e tij, pasi në të kundërt nuk do i kishte mbijetuar dot këtij aksidenti të rëndë.  Ai ka shpëtuar pa lëndime të shumta, ndërsa ka marrë mjekimin e duhur në Spitalin e Vlorës.

Përplaset për vdekje 14-vjeçari në Fier, autori largohet nga vendngjarja

Një 14-vjeçar ka humbur jetën, si pasojë e një aksidenti në Fier. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në vendin e quajtur “Fermë Çlirim”, ku adoleshenti ishte duke ecur në këmbë anës rrugës së bashku me nënën e tij, ndërkohë që makina ka ardhur dhe i ka marrë para.

Aksidenti i ka shkaktuar 14-vjeçarit vdekjen e menjëhershme, ndërsa ka lënë të plagosur nënë e tij M.B 36-vjeç, e cila është dërguar në spital.

Drejtuesi i mjetit tip ‘Volkswagen’ që ka shkaktuar këtë aksident të rëndë është 20-vjeçar R.S banues në Dërmenas, i cili është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes. Pas hetimeve policia bëri të mundur kapjen e tij dhe po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Tragjike, nënën dhe fëmijën i shtyjnë mbi shinat e trenit, humb jetën 8-vjeçari

Një nënë së bashku me fëmijën e saj është shtyrë mbi shinat e trenit gjatë kohës që po priste në stacion për të hipur. Ngjarja ka ndodhur në Frankfurt të Gjermanisë për shkaqe ende të paqarta. Një person i veshur me të zeza shtyu nga pas nënën me fëmijën në momentin që treni po mbërrinte.

Nëna ka mundur të shpëtojë duke u futur në një hendek mes shinave, ndërsa fëmija 8-vjeçar ka humbur jetën, pasi u godit për vdekje nga treni.

Ngjarja e rëndë terrorizoi të gjithë personat që ishin në terminal. Autori i ngjarjes ka tentuar të largohet por është kapur nga policia. Nuk ka ende detaje të tjera në lidhje me ngjarjen.

Sarandë, përplasen dy makina, 5 të plagosur

Një aksident i rëndë ka ndodhur në Sarandë duke lënë një bilanc prej 5 të plagosurish. Dy makina janë përplasur kokë më kokë dhe si rezultat njëra prej tyre ka dalë nga rruga. Një ‘Benz’-i dhe një ‘Land Rover’ kanë pasur një përplasje të fortë, ku ‘Jeep’ ka dalë 3 metra nga rruga duke përfunduar në ambientet e një biznesi.

Për pasojë kanë mbetur të plagosur 5 persona, që udhëtonin brenda këtyre dy mjeteve, fatmirësisht jashtë rreziku për jetën.

Nuk dihen shkaqet e aksidentit, ndërsa policia ka nisur hetimet në vendin e ngjarjes.

Makina përplaset me trajlerin në Librazhd, dy të plagosur

Një aksident i rëndë me pasojë plagosjen e dy personave ka ndodhur në aksin rrugor Elbasan-Librazhd, në vendin e njohur si “Kthesa e Murrashit”.

Dy automjete u përplasën kokë më kokë, një makinë “Range Rover” dhe një trajler, ku për pasojë kanë mbetur të lënduar çifti i bashkëshortëve Nikita dhe Leta Manoku, të dy nga 60-vjeç nga Tirana, të cilët po udhëtonin me makinën “Rage Rover”.

Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.

Rrogozhinë, kamioni del nga rruga, plagoset shoferi turk

Një kamion ka humbur kontrollin duke dalë nga rruga në afërsi të Rrogozhinës. Nga aksidenti ka mbetur i plagosur drejtuesi i kamionit, një shtetas turk. I plagosuri ka marrë plagë të lehta duke mos paraqitur rrezik për jetën.

Shkak i aksidentit mendohet se ka qenë lagështia në rrugë për shkak të shirave. Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plot të shkaqeve të aksidentit.

Po testonin makinën pas servisit, plagosen dy persona në Korçë

Dy persona kanë mbetur të plagosur pasi makina me të cilën po udhëtonin ka dalë nga rruga. Ngjarja ka ndodhur në aksion rrugor Korçë-Pogradec, ku të plagosur kanë mbetur shtetasit Arjan Latifi 41-vjeç dhe Silvjano Gjoza 31-vjeç.

Dy personat po lëviznin me një makinë tip BMW me targat AA 188 CD, që ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar duke u përplasur me një bordurë.

Makina sapo ishte marrë nga servisi dhe pronari i saj po e testonte atë në rrugë. Në makinë bashkë me të ishte edhe xheneriku i servisit. Sipas policisë drejtuesi po i jepte makinës me shumë shpejtësi duke humbur kontrollin dhe dalë jashtë rruge.

I plagosur Silvjano Gjoza ndodhet në gjendje të rëndë për jetën, ndërsa 41-vjeçari ka marrë plagë më të lehta.

Skip to toolbar