“Do të jetë një betejë për jetë a vdekje”. Kështu është shprehur kreu i PD-së, Lulzim Basha dje për mediat, pas një aktiviteti të zhvilluar në qytetin e Shkodrës, teksa u pyet për hapat e mëtejshëm të opozitës dhe për vazhdimin e protestave. Pavarësisht thirrjeve të ndërkombëtareve për t’i dhënë fund protestave të dhunshme, kreu i PD-së është i vendosur për të vazhduar rrugën e nisur.
“Mendoj që mesazhet që kemi dhënë sot me rastin e një ngjarjeje kaq të rëndësishme janë shumë aktuale. Për të ndaluar një tirani të krimit, bëhet çdo sakrificë me çdo çmim. Unë, PD, opozita dhe gjithë shqiptarët e bashkuar do të jemi më të vendosur se kurrë për të ndaluar një tjetër tirani, një tjetër monizëm, por, kësaj rradhe të veshur me krim, me korrupsion dhe oligarki babëzitëse, që e ka shkatërruar vendin dhe ka mbyllur dyert e Europës. Kjo është një betejë për jetë a vdekje dhe fundi i kësaj beteje është tashnë i përcaktuar. Do të jetë fundi i atyre që duan të rikthejnë tiraninë dhe fitorja e gjithë shqiptarëve të bashkuar”, u shpreh Basha.