Meta lë krizën në Tiranë, ngre dolli me Thaçin e Haradinajn

AKTUALITET


Presidenti Meta i është larguar sërish Tiranës dhe krizës politike në vend, ndërkohë që ka festuar së bashku me presidentin e Kosovës Hashim Thaçi dhe kryeministrin e dorëhequr Ramush Haradinaj,

“Festën e Vjeljes së Rrushit” në Rahovec.


Pas pushimeve në Prevallë, presidenti ka gjetur një tjetër mundësi për të shkuar në Kosovë dhe teksa ka ngritur dolli me raki me Thaçin e Haradinajn ka apeluar për më shumë bashkëpunim dhe shkëmbime tregtare mes Shqipërisë dhe Kosovës.

“Shpresoj që edhe shkëmbimet mes Shqipërisë dhe Kosovës të rriten edhe më tej, në të gjitha aspektet, në radhë të parë përsa u takon prodhimeve të bujqësisë dhe zhvillimeve të agro-turizmit.

Ne duhet të mësojmë shumë nga njëri-tjetri! Sidomos Shqipëria shumë më tepër nga Kosova dhe anasjelltas, sepse na takon të vëmë në lëvizje të gjitha ato potenciale që kanë vendet tona, e sidomos ato që ka Shqipëria në fushën e bujqësisë, por edhe në atë të turizmit”, thekson presidenti Meta. 

Të enjten ai u kthye në Tiranë pas dy javë pushimesh në Prevallë të Kosovës ku çdo ditë postonte foto dhe video me mesazhe të koduara politike. Fotoja më e fundit ishte ajo duke lexuar një libër mbi jetën Esat Pashë Toptanit, ndërsa shkruante se “historia s’duhet të harrohet dhe se marrëveshjet që s’duhet të përsëriten”.

Thënie kjo që u lexua si një mesazh drejtuar Ramës e Bashës për t’i thënë atyre se ai nuk do të lejojë një marrëveshje të dytë mes tyre, të ngjashme si ajo e 17 majit.

Pavarësisht dorëheqjes së Valdrin Pjetrit në Shkodër, ende nuk ka një reagim nga presidenti Meta. Nuk dihet nëse ai do të dekretojë një datë për zgjedhje të parakohshme në Shkodër, duke pasur parasysh se ai nuk i njeh zgjedhjet e 30 qershorit për shkak se i ka anuluar me dekret këto zgjedhje. Për Metën e vetmja datë zgjedhjesh kushtetuese janë ato të 13 tetorit, datë kjo që nuk pranohet as nga Rama e as nga Basha dhe që është rrëzuar nga institucionet. Pra kriza vazhdon të mbetet në Tiranë, ndërkohë që Presidenti këtë të premte ka festuar në Kosovë.  




Skip to toolbar