Edhe kjo fundjavë solli trafik të rënduar në Rrugën e Kombit për shkak të pushuesve të shumtë nga Kosova që kanë zgjedhur të kalojnë disa ditë pushimesh në bregdetin e Shqipërisë.
Trafiku ka qenë i rënduar veçanërisht në orët e para të mëngjesit, ndërsa situata më problematike është paraqitur në aksin Morinë- Kukës, duke pasur dhe bllokime të herëpashershme të qarkullimit rrugor. Ndërkohë aksi tjetër që të çon nga Shqipëria në Kosovë është thuajse totalisht i lirë.
Vetëm 3 ditë më herët kryeministri Rama bëri me dije se vetëm në gusht Shqipëria kapi një shifër rekord të turistëve, pasi vetëm brenda 20 ditëve të para të muajit hynë 1 milion turistë me pasaporta të huaja. Por kryeministri gjithashtu dha edhe një lajm të mirë për turistët të cilët vijnë nga Kosova dhe hasin trafik në Rrugën e Kombit. Rama tha se 7 ura do të ndërtohen së shpejti në këtë rrugë dhe se do i jepet fund vargut të makinave si dhe aksidenteve të shpeshta.