Zjarri në Shëngjin, i qëllimshëm. 2 persona në pranga

AKTUALITET


Policia njofton se zjarri në malin e Shëngjinit, shumë pranë zonës së banuar, ka qenë i qëllimshëm dhe për këtë arsye ka arrestuar 2 persona. Ndërkohë që flakët e zjarrit janë vënë nën kontroll, megjithëse nuk janë shuar plotësisht.

Policia njofton se kanë arrestuar në flagrancë shtetasit M.I. 34 vjeç, banues në Ishull Shëngjin dhe A.U. 24 vjeç, banues në Shëngjin.


Këta dy shtetas, në bashkëpunim me njëri – tjetrin, rreth orës 21:45 datë 22 gusht, në Malin e Shëngjinit tek ” Lugu i Lemes”, dyshohet që i kanë vënë zjarrin malit me qëllim hapjen e kullotave për bagëtitë dhe prerjen e lëndëve drusore për shitje, zjarr i cili ka marrë përmasa duke djegur disa hektarë bimësi e pisha si dhe rrezikuar banesa e jetë njerëzish.

Ata do të përballen me veprat penale ” Shkatërrim prone me zjarr” kryer në bashkëpunim’ parashikuar nga neni 151 – 25 i Kodit Penal.

Gjithashtu, do të ndiqet penalisht edhe shtetasi K.M. banues në Tresh – Lezhë, sepse dyshohet që i ka vënë zjarrin një sipërfaqe toke rreth 500 m2 ku nga zjarri është djegur edhe rrethimi me shkurre i stanit të bagëtive të tij.

Fatmirësisht reshjet e shiut që kanë rënë gjatë natës në këtë zonë, kanë ndihmuar në shuarjen e vatrave të zjarrit.

Siç njoftoi, mbrëmjen së premtës, Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka në terren kanë zbritur 200 efektivë të Forcave të Armatosuri me mjete e trupa nga Tirana e Shkodra dhe bashkia Lezhë.




Skip to toolbar