Ditën e hënë në Bruksel do të zhvillohet Konferenca e Donatorëve për Shqipërinë pas tërmetit tragjik të 26 Nëntorit të vitit të kaluar ku humbën jetën 51 persona, ndërsa dëmet llogariten 980 milionë euro, teksa rindërtimi kërkon rreth 1.08 mld euro. Konferenca në Bruksel do të organizohet nga Presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen.
Në Konferencë pritet që të marrin pjesë mbi 100 shtete, por edhe Banka Botërore me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe organizata të tjera. Zëdhënësja e KE-së, Dana Spinant sot dha më shumë detaje nga organizimi i Konferencës së Donatorëve ‘Bashkë për Shqipërinë’.
“Në orën 14:15 Presidentja e Komisionit Europian dhe kryeministri Edi Rama do të nënshkruajnë programin për mbështetjen e Shqipërisë lidhur me rindërtimin me një vlerë prej 15 milionë euro. Presidentja e Komisionit Europian do të hapë konferencën së bashku me kryeministrin Edi Rama dhe presidentin e Këshillit Europian Charles Michel në 14:30.
Komisioneri për Zgjerimin Olivér Várhelyi do të hapë dhe mbyllë sesionin e angazhimeve të donatorëve në këtë konferencë, ndërkohë që komisioneri Janez Lenarčič do të bëjë vlerësimin e nevojave lidhur me dëmet e tërmetit. Në përfundim të konferencës së donatorëve, presidentja Von der Leyen dhe kryeministri Edi Rama do të mbajnë një konferencë për shtyp” tha zëdhënësia.