Holanda dhuron 3 milionë euro për rindërtimin nga tërmeti

AKTUALITET


Holanda ka vendosur t’i dhurojë Shqipërisë 3 milionë euro për tragjedinë e 26 nëntorit.

Lajmi bëhet i ditur nga ministri i Jashtëm i Holandës, Stef Blok, i cili përmes një postimi në Twitter, shpreh mbështetjen dhe ndihmën konkrete që Holanda dhuron për rindërtimin pas tërmetit.


“Holanda qëndron në krah të Shqipërisë pas tërmetit dhe do të dhurojë 3 milionë euro për rindërtimin”, shkruan ministri Blok.

Ndërsa, lajmin për dhurimin e kësaj shume për rindërtimin, ministri holandez e shoqëron me një video-mesazh, ku thekson se “Tërmeti shkatërrues që goditi Shqipërinë vitin e kaluar na tronditi të gjithëve. Kam parë pamje të dëmeve, ndërsa Kryeministri Rama dhe kolegu im Cakaj më kanë treguar histori që të thyenin zemrën për qytetarët shqiptarë që ranë viktimë e kësaj fatkeqësie. Holanda është shumë e angazhuar për të mbështetur Shqipërinë në përpjekjet e saj për rindërtimin. Në solidaritet me popullin shqiptar Vendet e ulëta do të dhurojnë 3 milionë euro për rindërtimin”.

Kujtojmë që më 17 shkurt, në Bruksel, do të zhvillohet Konferenca e Donatorëve për të ndihmuar Shqipërinë për rindërtimin, pas tërmetit të 26 nëntorit, ku do të marrin pjesë vendet anëtare të BE, partnerët e Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësues nga vende të tjera, si dhe organizata ndërkombëtare dhe institucionet ndërkombëtare financiare, përfshirë OKB dhe Bankën Botërore.




Skip to toolbar