Ish-ministri në Real Story: BE bëri hapa pas, PS duhej të bënte kompromis me PD

POLITIKË


Ish ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, i cili kohët e fundit ka qenë kritik edhe ndaj mazhorancës, ka deklaruar nga Real Story të Sokol Ballës në News 24 se situata politike në vend nuk ka ndihmuar për hapjen e negociatave me Shqipërinë, megjithëse sipas tij, Bashkimi Evropian bëri një hap pas me vendimin negativ për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Madje, ai ka kritikuar jo vetëm opozitën për situatën politike, që sipas tij, duhet të kishte gjetur një kompromis, por kjo fjalë për vendet e Ballkanit Perëndimor është fjalë turpi.

“KE bën vlerësimin e parë teknik dhe janë vendet anëtare që kanë vendimmarrjen finale. Më 2018, isha protagonist, dhe e di që ka qenë shumë e vështirë për të marrë rekomandimin. Ishte një betejë, që u transferua te vendet anëtare, ku në qershor 2018 morëm një angazhim të qartë, që në 2019 do të kishim dhe nisjen e procesit. Nuk prisja që të kishte një hap pas, sepse nëse shohim vendimin e para pak ditëve, me vendimin e 2018 është një hap pas nga BE, por mendoj që Shqipëria meritonte që të niste këtë proces në 2018 dhe besoj se nga nisja e këtij procesi përfitojnë të gjithë, edhe vetë BE, sepse shton influencën në një zonë, apo në një kopsht të tij. Mund të kemi njëmijë probleme, por janë ndërmarrë disa hapa, që për vendet e tjera janë bërë në një fazë të mëvonshme të këtij procesi. Natyrisht situata e brendshme politike nuk ka qenë pozitive në këtë proces. Një gjeneratë e kemi humbur dhe nuk e ka gëzuar dot mundësinë e përfitimeve nga ky proces. Për shkak të gabimeve tona strategjike, po na krijohet një hendekë edhe më i madh pabarazisht”, tha Bushati.


Ish-kryediplomati Bushati kritikoi të gjitha palët politike, sa i takon krizës së thellë politike, që vijon prej shumë muajsh. “Nuk ka një vend të dytë në listën e vendeve kandidate që të ketë përjetuar një situatë të paprecedentë siç e përjetoi Shqipëria këtë vit dhe siç vazhdojmë ta përjetojmë. Nga pikëpamja procedurale, parlamenti mund të përcaktohet si funksional. Por, djegia e mandateve, që ka qenë një vendim i papërgjegjshëm politikisht, mos pjesëmarrja në zgjedhjet vendore dhe i gjithë stanjacioni politik, që erdhi si pasojë e këtyre veprimeve të opozitës, ka dëmtuar këtë proces. Ne të gjithë kemi bërë gabime, edhe unë, forca që unë përfaqësoj, kemi bërë gabime. Mazhoranca duhet të kishte gjetur kompromis. Por, fjala kompromis duket si fjalë turpi në vendet e Ballkanit Perëndimor. Ne kemi kultivuar ndjesinë e poshtërimit të kundërshtarit, ose të një njeriu që mendon ndryshe nga vija kryesore e sjelljes politike. Ne duhet të kuptojmë që duhet të zhvillojmë kapacitet për më shumë kompromis, sepse do ta kemi më të thjeshtë për t’u marrë vesh me BE”, u shpreh Bushati në kritikat e tij edhe për mazhorancën.

I pyetur nga gazetari Balla se cili duhet të ishte kompromisi që duhet të kishit bërë ju si mazhorancë, Bushati deklaroi se “Fakt është që ne përjetuam një zmbrapsje nga pikëpamja e kulturës politike më 2019. Dukej sikur ne kishim hyrë në një periudhë para-politike. Imazhi i vendit është përgjegjësi e përbashkët e opozitës dhe mazhorancës”.

Madje, duke insistuar në idenë për çështjen e kompromisit, Bushati riktheu në vëmendje se pakti që ai ka ideuar apo propozuar, nuk është një shpikje shqiptare. “E mbani mend debatin për 3 ligjet, tani jemi tek 9 pikat e Bundestagut”, deklaroi Bushati, duke paralelizuar atë që ka kërkuar ai me ato që kërkon Gjermania për hapjen e negociatave me Shqipërinë. Po ashtu, ai theksoi se pakti ishte i nevojshëm edhe për reformën më të rëndësishme në vend, atë të drejtësisë, e cila është shtylla kryesore e negociatave. “Të gjithë e mbështesim vettingun dhe Reformën në Drejtësi, por patëm disa dëme anësore si mungesa e Gjykatës Kushtetuese. Këto nuk i bën dot vetëm qeveria, duhet bashkëpunim. Prandaj duhet Pakti. Që në vitin 2016, Reformën në Drejtësi e kam cilësuar “testin e stresit” për politikën. Edhe sot 3 vite më pas, shoh që nuk e kemi kaluar këtë test”, deklaroi ish ministri i Jashtëm në Real Story.




Skip to toolbar