Kreu i Emergjencave Civile i ka dhënë përgjigje një shqetësimi të ngritur prej disa ditësh për pallatet e shembura nga tërmeti në Thumanë që morën dhjetëra jetë njerëzish, duke deklaruar se në tërmetin e 21 shtatorit, ato ishin vlerësuar për t’u riparuar nga komisionet e vlerësimit.
Ky shqetësim është ngritur që pas tërmetit si nga ekspertët, por së fundmi edhe nga opozita, e cila ka kërkuar të dijë nëse ishte bërë një verifikim dhe çfarë ishte vendosur nga grupet e vlerësimit. Por, deri më sot, askush nuk kishte shprehur asgjë mbi aktet e vlerësimit, duke ia lënë përgjegjësinë vetëm prokurorisë. Madje, kjo ka qenë një ndër arsyet që të shtunën, kryeprokurori i ri, Olsian Çela inspektoi Prokurorinë e Krujës menjëherë pas vizitës në prokurorinë e Durrësit, nga ku deklaroi që shkelësit do të mbajnë përgjegjësi, qofshin zyrtarë apo ndërtues.
“Mund të them që 3 pallatet në Thumanë ishin vlerësuar për t’u riparuar, po asnjë nga komisionet e vlerësimit nuk kishte dalë në konkluzionin që këto pallate duheshin shembur”, ka deklaruar Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako, i ftuar në emisionin “Kjo javë” në News 24. Madje, Çako vuri në dijeni se sapo kishte filluar rindërtimi i 233 banesave të dëmtuara nga tërmeti i 21 shtatorit, përjashto Bashkinë e Tiranës, që kishte marrë iniciativat e veta. “Gati ishte në përfundim i gjithë procesi i 21 shtatorit. Është një sistem i tërë që duhet të funksionojë, nuk është një strukturë e vetme e cila mund ta finalizojë një proces të tillë. Në këto kushte tërmeti i 21 shtatorit nuk mund t’i jepte mundësinë asnjë lloj inxhinieri apo eksperti të përcaktonte që fatkeqësitë e banesave të rrënuara me këtë fuqi tërmeti mund të ishin përcaktuar”, tha Çako. Më herët, Çako i ftuar në Real Story të Sokol Ballës kishte deklaruar se “nuk ka një akt për të shpallur pallatet e shembura të Thumanës të pabanueshme”, por që nuk kishte detaje të mëtejshme, ndërkohë që pas disa ditësh, ai duket se ka marrë në dorë aktin e konstatimit, që rezulton se pallatet ishin vlerësuar për riparim.
Nga ana tjetër, banorët e Thumanës kanë pretenduar se ato pallate ishin shpallur të pabanueshme që një vit më parë. Madje, ata ndihen të frikësuar të kthehen në banesat e tyre, nëse pallatet nuk rindërtohen. Por, kjo çështje, tashmë ka kaluar në dorën e prokurorisë, ku kryeprokurori ka dhënë porosi të qarta, jo vetëm për Prokurorinë e Krujës, por edhe të Durrësit, Lezhës e Tiranës, ku janë shënuar dëmet më të konsiderueshme nga tërmeti i 26 nëntorit.
Po ashtu, prokuroria do të verifikojë edhe aktin e konstatimit për pallatet e rrëzuara në Thumanë, nëse verifikimi dhe konkluzioni ka qenë i saktë. Që pas tërmetit, prokuroria ka kërkuar dokumentacionin përkatës nga të gjitha institucionet, ndërsa është ngritur kërkesa për inxhinierë, të cilët do të ndihmojnë hetimet në nxjerrjen e konkluzioneve përfundimtare.
Pas tërmetit të 26 nëntorit shumë ndërtime në Tiranë, Durrës dhe qarkun e Lezhës u dëmtuan shumë rëndë dhe për këtë ishte e nevojshme që të shembeshin. Janë të paktën 39 objekte që janë shembur deri më tani nga IKMT, ku në Durrës janë 27 objekte, në Thumanë 10 objekte (7 pallate dhe një shkollë) dhe në Bubq 2 objekte.