Cikalleshi për Panuccin: S’dua ta kujtoj të shkuarën, tani kemi harmoni në skuadër

KOMBËTARE


“Të jesh në Kombëtare është gjithmonë kënaqësi dhe të kontribuosh për kombin tënd është nder”, e ka nisur kështu fjalën e tij sulmuesi Sokol Cikalleshi, që ka folur në konferencë për shtyp nga Frankfurti aty ku ekipi ynë kombëtar vijon përgatitjet në prag të ndeshjes ndaj Islandës.

Sokol Cikallesho rikthehet në ekipin tonë kombëtar pas shumë kohësh mungesë, për shkak të mardhënies së tensionuar që krijoi me ish-trajnerin Christian Panucci. Për këtë të fundit, sulmuesi kavajas u shpreh se nuk pati fat, duke mos krijuar polemika të tjera.

“Uroj që këtë punë ta konkretizojmë me rezultat kundër Islandës. Në dy grumbullimet e vitit të kaluar me Panuccin, kam qenë i pafat, pasi isha i dëmtuar. Dihet si shkuan gjërat me Panuccin, duhet ta lëmë pas dhe të nisim një kapitull të ri”, u shpreh Sokol Cikalleshi.

Sitemi i lojës i trajnerit të ri të ekipit kombëtar Edy Reja do t’i krijojë më shumë hapësirë sulmuesve, ndërsa për Cikalleshin nuk ka hatër mbetje, nëse luan ai, Sadiku apo Balaj. “Nga 4 sulmues, do të luajmë dy, pavarësisht se varet sesi shkojnë gjërat. Ne kemi qenë gjithmonë një grup i harmonizuar dhe nuk kemi patur probleme, kushdo që ka luajtur ne e kemi mbështetur. Luan Sadiku, Balaj, Uzuni apo unë, mbështetja do të jetë maksimale”- tha sulmuesi.

Në fund ai ka saktësuar se harmonia e krijuar do e ndihmojë skuadrën për rezultate pozitive. “Harmonia dhe fryma pozitive e krijuar do të na ndihmojnë shumë në dy ndeshjet e radhës. Kam shënuar dy gola me Kombëtaren dhe shumë shtylla, por nuk kam mbetur i pakënaqur. Duke qenë se do të luajmë me dy sulmues shanset janë për të qenë afër portës. Goli nuk është qëllim në vetvete, me shumë kanë rëndësi rezultatet”,-ka përfunduar Cikalleshi.



Skip to toolbar