Turqia, delja jonë e zezë. I “hëngri kokën” Panuccit

Të premten në 20:45, kombëtarja jonë e futbollit do të përballet në Stamboll me Turqinë, në ndeshjen e turit të shtatë eliminator, për Euro 2020. Kuqezinjtë e drejtuar nga Edy Reja do të tentojnë mrekullinë në këtë sfidë, pavarësisht se skuadra vendase vjen si favorite. Ajo e së premtes do të jetë përballja e dhjetë midis Shqipërisë dhe Turqisë në futboll, e teta ndeshje zyrtare, ndërsa 2 janë miqësore. Po çfarë thonë statistikat për përballjet mes dy kombëtareve. Përballja e parë mes Shqipërisë dhe Turqisë daton në vitin e largët 1970, në kualifikueset e evropianit.

Në takimin e datës 13 dhjetor të vitit 1970, kuqezinjtë u mundën me rezultatin 2-1, ndërsa në ndeshjen e kthimit, në 14 nëntor 1971, Shqipëria fitonte 3-0 ndaj turqisë. Një dekadë më pas, dy kombëtaret do të takoheshin përsëri në eliminatoret e evropianit. Në 27 tetor të vitit 1982, Turqia fitonte minimalisht në shtëpi me rezultatin 1-0, ndërsa ndeshja e kthimit në Tiranë, në 11 maj 1983 përfundoi në barazim 1-1.

Pas këtij takimi, do të duheshin gati dy dekada që dy skuadrat të përballeshin mes tyre. ishte 22 prilli i vitit 2001, kur kombëtarja jonë u përball me Turqinë në transfertë në një takim miqësor, të cilin e fitoi me rezultatin 2-0. Katër vite më vonë, në 2005, Shqipëria e gjen veten në të njëjtin grup me Turqinë për kualifikueset e botërorit.

Turqit fituan të dyja takimet, të parin në shtëpi me rezultatin 2-0, ndërsa të dytin në Tiranë me rezultatin 0-1. Pas 2005, kombëtarja jonë përballet në takimin e radhës me Turqinë në Antalia, në 13 nëntor 2017. Takimi u fitua nga kuqezinjtë tanë me rezultatin 2-3, në atë kohë drejtuar nga Christian Panucci, ndërsa golat ishin dopieta e Sadikut dhe një i Eros Grezdës, të dy mungojnë në takimin e së premtes.

Ndeshja e fundit mes Shqipërisë dhe Turqisë, ishte ajo e 22 marsit të këtij viti, kur kuqezinjtë drejtoheshin përsëri nga Christian Panucci, por në ndryshim nga 2017, ndeshja e këtij viti ishte zyrtare dhe Turqia fitoi me rezultatin 0-2 në Shkodër.

Ajo ishte në fakt dhe ndeshja e fundit e Christian Panuccit në krye të kombëtares tonë, pasi pas asaj humbje, FSHF vendosi t`i komunikonte trajnerit italian shkarkimin në orët e para të mëngjesit të datës 23 mars, ndërsa në maj të këtij viti, drejtimin e kuqezinjve e mori Edy Reja. Ndërkohë, sa i përket vlerave financiare, skuadra jonë kushton rreth 68 milion euro, ndërsa ajo turke kushton gati sa trefishi i kuqezinjve, me rreth 183 milion euro. /Realstory.al/

Cikalleshi për Panuccin: S’dua ta kujtoj të shkuarën, tani kemi harmoni në skuadër

“Të jesh në Kombëtare është gjithmonë kënaqësi dhe të kontribuosh për kombin tënd është nder”, e ka nisur kështu fjalën e tij sulmuesi Sokol Cikalleshi, që ka folur në konferencë për shtyp nga Frankfurti aty ku ekipi ynë kombëtar vijon përgatitjet në prag të ndeshjes ndaj Islandës.

Sokol Cikallesho rikthehet në ekipin tonë kombëtar pas shumë kohësh mungesë, për shkak të mardhënies së tensionuar që krijoi me ish-trajnerin Christian Panucci. Për këtë të fundit, sulmuesi kavajas u shpreh se nuk pati fat, duke mos krijuar polemika të tjera.

“Uroj që këtë punë ta konkretizojmë me rezultat kundër Islandës. Në dy grumbullimet e vitit të kaluar me Panuccin, kam qenë i pafat, pasi isha i dëmtuar. Dihet si shkuan gjërat me Panuccin, duhet ta lëmë pas dhe të nisim një kapitull të ri”, u shpreh Sokol Cikalleshi.

Sitemi i lojës i trajnerit të ri të ekipit kombëtar Edy Reja do t’i krijojë më shumë hapësirë sulmuesve, ndërsa për Cikalleshin nuk ka hatër mbetje, nëse luan ai, Sadiku apo Balaj. “Nga 4 sulmues, do të luajmë dy, pavarësisht se varet sesi shkojnë gjërat. Ne kemi qenë gjithmonë një grup i harmonizuar dhe nuk kemi patur probleme, kushdo që ka luajtur ne e kemi mbështetur. Luan Sadiku, Balaj, Uzuni apo unë, mbështetja do të jetë maksimale”- tha sulmuesi.

Në fund ai ka saktësuar se harmonia e krijuar do e ndihmojë skuadrën për rezultate pozitive. “Harmonia dhe fryma pozitive e krijuar do të na ndihmojnë shumë në dy ndeshjet e radhës. Kam shënuar dy gola me Kombëtaren dhe shumë shtylla, por nuk kam mbetur i pakënaqur. Duke qenë se do të luajmë me dy sulmues shanset janë për të qenë afër portës. Goli nuk është qëllim në vetvete, me shumë kanë rëndësi rezultatet”,-ka përfunduar Cikalleshi.

Kombëtarja, Sadiku: Reja na kthehu lirinë, me Panuccin s`kishim raport

Armando Sadiku ka folur sot në konferencë për shtyp nga Durrësi, ku prej ditësh është grumbulluar ekipi ynë kombëtar. Sadiku është shprehur se trajneri Edy Reja i ka dhënë frymëmarrje dhe liri lojtarëve, duke krijuar një klimë pozitive. “Ndihem më mirë kur jam i lirë. Kjo ka qenë forca jonë, të flisnim me njëri-tjetrin dhe të krijojmë grupin. Ambjeti që ka krijuar trajneri është pozitiv”.

“Gjëja që  më pëlqeu më shumë te trajneri ka të bëjë me komunikimim. Ai ka bërë që çdo futbollist të ndihet i rëndësishëm. Kur ai të vjen dhe të flet, duke të dhënë besim, të bën të mendosh se do të luash”, ka thënë Sadiku.

Më tej, gjatë fjalës së tij sulmuesi kuqezi ka folur edhe për ndeshjen e ardhshme ndaj Islandës, ndaj të cilës Shqipëria luan në transfertë. “Trajneri ka punuar në stërvitje skemën që duhet praktikuar ndaj Islandës, 3-5-2. Ishte stërvitje intensive”, thotë Sadiku, ndërsa beson te arritja e një rezultati pozitiv.

“Islanda është ekip që luan mirë në lojën në ajër. Vetë rezultatet flasin: ka shkuar në Europian dhe Botëror. Kanë eksperiencë tashmë”. Njëherë kam luajtur ndaj tyre. Duhet të harrojmë ato dy ndeshje që kemi luajtur ndaj tyre, duhet të fokusohemi te kjo. Atmosfera është ndryshe dhe e mirë, ndaj duhet të përgatitemi”, ka thënë sulmuesi elbasanas.

Ndryshimi i brezave dhe mungesa e minutave me klubet për lojtarët, janë dy nga arsyet pse kombëtarja ka pasur probleme në dy vitet e fundit.

Ndryshim brezi, nga Franca ka pasur prurje të reja. Të gjithë e dimë që shumica e lojtarëve kishte probleme në klubet përkatëse. Gjysma e skuadrës nuk ka luajtur, ndaj ndikon në ndeshje. Me Panuccin, ky ishte problemi. Me rregullat që kishte ai, në fillim nuk krijuam raport shumë të mirë”, ka thënë Sadiku.

Armando Sadiku ka treguar se karriera sezonin e ardhshëm do të vijojë me Levanten. “Kam dy vjet ende me Levanten në kontratë. Isha në huazim te Lugano sepse vija nga një dëmtim i rëndësishëm. Për fat e përfundova me sukses te Lugano, pasi shkuam në Europa League. Tani në korrik kthehem te Levante dhe do të nis grumbullimin atje”, është shprehur sulmuesi kuqezi.

Migjen Basha: Reja na bën të ndihemi të lirë, Partizani s`më ka ofruar gjë (video)

Migjen Basha ka dalë në konferencë për shtyp nga kompleksi “Tropikal”, aty ku prej ditësh ekipi ynë kombëtar është duke zhvilluar përgatitjet për ndeshjet kualifikuese të Euro 2020 nën drejtimin e Edy Reja-s. Mesfushori kuqezi ka qenë ditët e fundit në fokusin e mediave, pasi u përfol për një interesim të Partizanit për të. Dhe pikërisht intersi i gazetarëve në konferencën e sotme për shtyp ka qenë së pari rreth këtyre zërave.

“Së pari zërat e merkatos kush i ka thënë. Ishte vetëm një foto që u bë e madhe dhe doli që Basha është për te Partizani. Kam edhe një vit kontratë me Arisin. Nuk është e vërtetë. Çdo lojtar do të shkojë në Champions. Kam kontratë dhe asgjë të vërtetë. Si ta them që unë kam dëshirë kur kam edhe një vit kontratë. Mund të jap një përgjigje që mund të hapë probleme. Ishte rastësi, një foto. Nuk ka asgjë të vërtetë”, tha Basha.

Më tej mesfushori ka analizuar situatën në ekip, duke u shprehur se me trajnerin e ri ndihen më të lirë. Migjen Basha nuk e bën fajtor ish-trajnerin Panucci për atë që ndodhi në kombëtare gjatë dy viteve të fundit.

 “Ekipi nuk është i plotë tani, po ndihemi më të lirë me Rejën. Ka qenë ndryshe me Panuccin, por nuk e bëj fajtor atë. Është trajner i ri, me tjetër mentalitet. Varet nga rezultatet, me fitore rritet harmonia. Ndryshe bëhet problem”.

 “Është ndryshe, Panuçi vendosi rregullat e tij dhe u munduam t’i zbatojmë. Duhen respektuar. Nuk e di nëse ishin pozitive apo jo. Mund të them që është ndryshe me Rejën. Nuk ia jap gjithë fajin Panuccit, por kur janë rregullat duhen respektuar. Jemi përgatitur pak taktikisht, po punojmë në aspektin fizik. Më pas do shohim si do stërvitemi. Ka më shumë eksperiencë dhe shikohet që ka raport tjetër me lojtarët”.

Në fund ai është shprehur se ekipi duhet të marrë pikë ndaj Islandës dhe Moldavisë, teksa me rikthimin e ekipit për të luajtur në kryeqytet, gjërat, sipas Migjen Bashës, pritet të ndryshojnë.

 “Jemi profesionistë, nuk e marrim lehtë. Luajmë për vendin tonë, nuk ka lidhje miqësore apo jo. Disa herë kemi bërë mirë, disa herë jo. Vitin e fundit ka pasur shumë mungesa, Panucci bëri disa teste dhe nuk shkuan gjërat mirë. E dimë që duhet patjetër rezultat. Duhet të fitonim më Turqinë. Është me rëndësi të marrim pikë me Islandën dhe Moldavinë. Ka humbur pak entuziasti dhe duhet që ne lojtarët ta kthejmë me rezultate. Kur të spostohemi në Tiranë mund të ndryshojë situata”.

Titullar dhe i rëndësishëm te Malaga, kombëtarja “harron” Keidi Baren!

Keidi Bare është një nga lojtarët që ka shkëlqyer këtë sezon në Spanjë në La Liga 2 me Malagan. Futbollisti 22-vjeçar ka luajtur pothuajse në çdo ndeshje titullar me ekipin e tij, duke u bërë një nga lojtarët më të rëndësishëm të sezonit.

Megjithatë, shkëlqimi i Keidi Bares këtë sezon duket se pak i ka interesuar drejtuesve të Kombëtares, teksa u la jashtë nga Christian Panucci në ndeshjet e muajit mars, pavarësisht se dy muaj më parë mesfushori iu nis një ftesë në momentet e fundit nga ish-trajneri italian.

Por nëse Panucci u largua dhe tani ka nisur një erë e re ndryshimesh në ekipin tonë përfaqësues, me Edy Rejan trajner, për Keidin gjërat përsëri nuk kanë ndryshuar. Të paktën deri tani. RealStory.al ka mësuar ekskluzivisht se futbollistit të talentuar nuk i është nisur asnjë ftesë nga kombëtarja për dy ndeshjet e muajit qershor.

Gjatë këtij sezoni, Keidi Bare ka luajtur 15 ndeshje me ekipin e parë të Malagas, duke asistuar dhe një gol. Ai u afrua gjatë fundit të vjeshtës te Malaga A, pasi më herët u aktivizua me ekipin e dytë të saj. Bare është kthyer në lider tek ekipi i tij, teksa në ndeshjen e fundit u ndëshkua me karton të kuq, pas një ndërhyrje të pavullentshme ndaj kundërshtarit.

Atalanta, Lacio dhe Panucci, Gjimshiti tregon gjithçka!

Berat Gjimshiti ishte një nga lojtarët më të mirë në fushën e lojës për Atalantën mbrëmjen e së enjtes kundër Fiorentinës, në gjysmëfinalen e dytë të Kupës së Italisë.

Qendërmbrojtësi i Kombëtares shqiptare ka folur pas kualifikimit të ekipit të tij në finale, duke komentuar disa çështje për mikrofonin e “Rai Sport”.

Fillimisht, gazetarët e kanë pyetur Gjimshitin lidhut me luftën për një vend në Champions League sezonin e ardhshëm. Sipas preshevarit, skuadra e Atalantës e kuptoi se mund ta arrinte këtë objektiv kur po fitonte ndaj ekipeve të mëdha në Serinë A.

“Mendoj se e kuptuam shpejt, sepse po shihnim ndeshjet që po bënim ndaj ekipeve të mëdha. Ndaj tyre po bënim lojëra shumë të mira”, ka thënë fillimisht Gjimshiti.

Më pas mbrojtësi i Atalantës ka komentuar ndeshjen me Fiorentinën dhe kalimin në finalen e Kupës së Italisë.

“Ne e njohim potencialin që kemi. Sot (dje) kemi pasur një kundërshtar të vështirë përballë me sulmues të shpejtë. Në pësimin e golit të parë ishim vendosur gabim, por reaguam mirë, jemi të kënaqur dhe presim me padurim finalen”, ka thënë Gjimshiti.

I pyetur nëse ka frikë nga ndonjë nga sulmuesit e Lacios, Berat Gjimshiti shprehet kështu: “Ne nuk mendojmë për lojtarët e kundërshtarit. Të gjithë sulmuesit në Serinë A janë të mirë. Milinkovic, Imobile apo dhe të tjerët janë të mirë, por ne kemi ekip të fortë dhe çdo ndeshje e luajmë për ta fituar”, është shprehur qendërmbrojtësi.

Në fund, gazetarët e kanë pyetur Gjimshitin edhe për ish-trajnerin e Kombëtares Christian Panucci. “Nuk kam folur shumë rreth Italisë me të, vetëm për ekipin kombëtar. Ne kemi një marrëdhënie të mirë së bashku. I uroj Panuccit më të mirat për të ardhmen”, ka përfunduar mbrojtësi i Kombëtares.

De Biasi kundër Panuccit: Lojtarët donin motivim

Rikthehem në Shqipëri, por jo për drejtuar ekipin kombëtar

Gianni De Biasi ka qenë këto ditë në Shqipëri, ku ka zhvilluar takime të shumta me miq të tij, të cilët i njohu gjatë kohës që drejtoi ekipin tonë kombëtar. Ish-trajneri që udhëhoqi Shqipërinë drejt suksesit historik të kualifikimit në Euro 2016, ka folur në një intervistë për “Panorama Sport”, teksa ka treguar disa nga arsyet e të qenit në Shqipëri.

De Biasi ka komentuar para së gjithash, zërat se ai mund të jetë trajneri i ardhshëm i ekipit tonë kombëtar, pas largimit të Christian Panuccit. Mirëpo, De Biasi, e ka hedhur poshtë këtë gjë, duke lënë të hapur vetëm mundësinë për t`u rikthyer si Drejtor Teknik i ekipit tonë kombëtar.

“Shikoni, unë besoj se ai e di që është shumë shpejt që nga koha kur unë kam ikur nga Shqipëria. Kanë kaluar thuajse një vit e gjysmë që kur kam ikur dhe nuk mendoj se është momenti për të menduar që të rikthehem. Më pas, në rolin e trajnerit, më pak akoma. Unë mund të merrja në konsideratë që të bëja mbase postin e drejtorit teknik të Kombëtares për të kërkuar që të zhvilloj lëvizjen futbollistike nga Kombëtarja e deri te të rinjtë”, ka thënë ish-trajneri i Kombëtares.

Më tej ai ka komentuar edhe një deklaratë të bërë nga Christian Panucci, në konferencën për shtyp, pas ndeshjes me Turqinë. Isht-trajneri i kuqezinjve, Panucci, deklaroi në Shkodër se “Shqipëria është një cirk, ndërsa ai që kërkon të vendosë rregull e pëson rëndë”. De Biasi ka dhënë këtë përgjigje për deklaratën e bashkëkombasit të tij.

Christian Panucci ish-trajner i Shqipërisë

Besoj se Kombëtarja shqiptare, në aspektin futbollistik, meqenëse po flasim për këtë, nuk ka nevojë për rregulla të mëdha. Ato që ishin në periudhën time të drejtimit mjaftonin për të çuar përpara një diskutim disipline nga pikëpamja e sjelljes, por ajo që ka rëndësi më shumë sipas meje janë motivimet dhe dëshira për të qenë pjesë e një projekti që duhet të na çojë lart, lart. Në këtë aspekt duhen ide shumë të qarta dhe zgjedhje të goditura në njerëz, përveçse futbollistë”,- ka thënë De Biasi ndër të tjera.

Panucci: Në Shqipëri, jetë e vështirë

Nuk po gjeja profesionalizmin për të praktikuar futbollin që doja

Christian Panucci u larguar mëngjesin e 23 marsit nga Shqipëria, pasi dështoi të merrte rezultat pozitiv në ndeshjen ndaj Turqisë, e vlefshme për takimet kualifikuese të Euro 2020. Ai u shkarkua nga Federata Shqiptare e Futbollit, pasi nuk pranoi të jepte dorëheqjen.

Megjithatë, trajneri është nën kontratë ende me FSHF-në, dhe do të paguhet deri në muajin nëntor të këtij vitit, kohë kur i përfundon kontrata me federatën.

“Real Story” kontaktoi ish-trajnerin e Shqipërisë për t`a pyet rreth largimit nga kombëtarja dhe planeve për të ardhmen, por ai refuzoi të fliste, duke u shprehur: “E kam të pamundur, jam ende në kontratë me FSHF-në, s`mund të flas”, tha Panucci.

Ndërkohë, gjatë ditës së sotme, ish-trajneri i ekipit tonë kombëtar, ka dhënë një intervistë për  “Gazzetta dello Sport”, ku ka theksuar se në Shqipëri nuk po gjente profesionalizëm dhe mundësi për të praktikuar futbollin që donte.

Shumë lojtarë po luanin pak kohët e fundit, ata bënin pak përpjekje për të ndarë idetë dhe profesionalizmin: ishte bërë e vështirë të praktikoja futbollin që kisha në mendje. Por nuk kam keqardhje, ishte një eksperiencë fantastike dhe gjithmonë do jem falënderues ndaj Shqipërisë, për gjithçka”, ka thënë Panucci.

Skip to toolbar