Stuhia dhe era e fortë, 13 të plagosur nga aksidentet

AKTUALITET


Moti i keq është bërë shkaktar i shumë aksidenteve të ndodhur gjatë ditës së mërkurë në mbarë vendin. Shqipëria është përfshirë nga stuhitë e forta dhe shirat e rrëmbyeshëm duke u bërë shkaktarë i të paktën 4 aksidenteve dhe një bilanci me 13 të plagosur, dy prej të cilëve ndodhen në gjendje të rëndë dhe janë transportuar drejt Tiranës.

Një makinë e Ambasadës ruse me tagra diplomatike është aksidentuar në aksion rrugor Elbasan-Librazhd. Ngjarja ka ndodhur në vendin e quajtur “kthesa e Murrashit”, ku makina me targa diplomatike ka humbur kontrollin dhe është përplasur me një makinë tip “Benz”. Aksidenti ka ndodhur për shkak të lagështisë në rrugë, ndërsa 3 persona kanë mbetur të plagosur. Të plagosur janë zyrtari i Ambasadës Ruse në Tiranë, Nikhain Kruchinina, 35 vjeç dhe bashkëshortja e tij Darja Igor Kruchinina si dhe drejtuesi i makinës tjetër, shtetasi Besnik Gora, 25 vjeç. Fatmirësisht të tre të plagosurit kanë marrë plagë të lehta dhe nuk ndodhen në gjendje kritike për jetën.

Një tjetër aksident është shënuar në aksion rrugor Rrogozhinë-Kavajë, ku po për shkak të lagështisë së madhe, makina ka dalë nga rruga. Për pasojë kanë mbetur të plagosur dy persona, të cilët janë jashtë rreziku për jetën.

Lagështia e madhe në rrugë dhe erërat e forta kanë nxjerrë një tjetër makinë nga rruga në Pogradec pranë vendit të quajtur Vërdovë. 8 të rinj të moshës 30-35 vjeç udhëtonin me një mjet fuoristradë, kanë humbur kontrollin e mjetit dhe kanë përfunduar jashtë rruge. Dy prej të plagosurve ndodhet në gjendje të rëndë për jetën dhe janë transportuar drejt Tiranës.

Një tjetër mjet ka dalë nga rruga në Balldren, por fatmirësisht këtë herë nuk janë shënuar të plagosur.

Moti i keq përveç aksidenteve ka shënuar edhe shumë dëme materiale në Shëngjin dhe Divjakë duke shkatërruar biznese e makina, ndërsa në disa zona të Shqipërisë janë dëmtuar rrjetet e furnizimit me energji elektrike duke lënë banorët pa drita .



Skip to toolbar