Covid 19, Ilir Meta: Si do shkojë situata? Varet nga ecuria e pandemisë, qytetarët kanë shumë në dorë

AKTUALITET


Presidenti Ilir Meta deklaroi se situata në vendin tonë, ku janë shënuar 146 raste me COVID-19, për momentin vijon të jetë në kontroll, ndërkohë që gjithçka varet se si do të jetë ecuria e kësaj pandemie globale. 


Gjatë një interviste për emisionin ‘Real Story’ në ‘News24’, Meta theksoi se fuqia e përballimit të kësaj krize qëndron tek ndërgjegjësimi i çdo qytetari për të respektuar të gjitha masat e marra, në mënyrë që të shpëtojnë veten dhe të afërmit e tyre. 

“Në terapi intensive janë 4 persona. Masat janë marrë për një situatë shumë më të vështirë. Sa i takon respiratorëve dhe shumë elemente të tjerë. Kjo është e rëndësishme në rastet kur qytetari është në gjendje kritike. Unë vlerësoj se situata në këtë drejtim është në kontroll për momentin, por do të varet nga ecuria e kësaj pandemie. Ndaj kërkohet ndihma e qytetarëve, Pasi në rastet që kemi shpërthim në disa drejtime, situata mund të bëhet e vështirë. Sa i takon testimeve, po përgatiten kapacitete në rritje, në shtesë, për të zhvilluar testime, jo vetëm në ato raste ku kemi persona të cilët duhet patjetër të bëjnë, por dhe më gjerë në tërësi. Por ky mekanizëm është duke u ngritur hap pas hapi. Edhe Italia nuk ka qenë kaq e përgatitur. Ne për fat të mirë i kemi mundësitë që të rrisim këto kapacitete dhe të kemi situatën në kontroll. Si do e bëjmë ne përballimin? Do e bëjmë me ndihmën e qytetarëve, që mos të shkojmë drejtim një kolapsi dhe do të jetë e vështirë që të ndihmojnë dhe qytetarët. Ndaj duhet të respektohen masat kufizuese. Është situatë që do të kalojë. Mendoj se kjo është një çështje që ka nisur dhe po zhvillohet. Po rriten kapacitete laboratorike. Njëkohësisht po rriten kapacitetet dhe infrastruktura njerëzore e laboratorike, për të realizuar me sukses dhe për të pasur situatën në kontroll sa më të mirë.”, tha Meta.