Debate në Kuvend, opozita e re akuza qeverisë: Po flirtoni me Bashën

POLITIKË


Kuvendi ka nisur me debate seancën parlamentare, ku në fokus të diskutimeve është reforma zgjedhore. Dora e shtrirë e mazhorancës për një tryezë dialogu me Bashën, po lexohet si një flirtim dhe marrëveshje pazari nga opozita parlamentare. Deputeti i opozitës së re, Ralf Gjoni paralajmëroi mazhorancën se nëse do të ketë një tjetër pakt me Bashën për reformën zgjedhore, atëherë opozita parlamentare është e unifikuar në qëndrimin e saj për të votuar kundër. Gjoni tha se nuk do të lejohen të kryhen më pazare në kurriz të shqiptarëve, por bashkëpunimi për reformën zgjedhore duhet të jetë e thellë për të ndryshuar në rrënjë sistemin zgjedhor.

Vota e shqiptarëve është e blerë dhe e tjetërsuar. Në vend që ne të jemi seriozë në komisionin për reformën zgjedhore, këta vijojnë dashuriçkat dhe flirtimet me njëri-tjetrin, mazhoranca me rrugën. Që sot e tutje fillon një tjetër epokë dhe sezon parlamentar, ne duhet të ndajmë shapin me sheqerin. Doni marrëveshje në kurriz të shqiptarëve, apo të jemi seriozë dhe të fillojmë reformimin e sistemit zgjedhor? Prezenca jonë mban këtë shumicë në këmbë, kryeministri po flirton me opozitën në rrugë dhe është pranë një marrëveshje. Ndryshimi i sistemit zgjedhor nuk ndryshon pa votën tonë këtu. Nuk ka shans të reformohet sistemi pa votën tonë këtu.” tha Gjoni në Kuvend, duke i bërë të ditur jo vetëm mazhorancës por edhe opozitës rrugore se pa votën e tyre nuk ka mundësi që Reforma Zgjedhore të votohet dhe se opozita e re është aty për të prishur pazaret Rama-Basha nëse i bëjnë realitet.

Në të njëjtën linjë mendimi ishte edhe deputeti dhe njëherë nënkryetari i Kuvendit, Myslim Murrizi, i cili tha se “sistemi aktual zgjedhor është kancer dhe se ka nevojë për një ndryshim të thellë të tij dhe jo riparim.”  

Por duket se shqetësimet e opozitës parlamentare për një pakt Rama-Basha, i ka shuar paksa kryetari i grupit të PS-së, Taulant Balla, i cili siguroi se nuk ka asnjë dashuri për PD. Thirrja për dialog dhe bashkëpunim në Reformën Zgjedhore, tha Balla bëhet në respekt të dialogut politik gjithëpërfshirës.

Harroje se paskam dashuri për Lulzim Bashën, por kam respekt për dialogun politik gjithëpërfshirës. Në komisionin e reformës i është lënë edhe një karrige bosh PD-së për të ushtruar të drejtën e saj për propozime. Nëse nuk duan, nuk do të thotë se reforma zgjedhore do të mbetet peng. Do të kemi një kod të ri zgjedhor pas këtij procesi” u shpreh Balla nga foltorja e Kuvendit.

Reforma Zgjedhore është një nga pikat kryesore të Kuvendit për këtë sezon të ri parlamentar, ku mazhoranca i ka shtrirë dorën e bashkëpunimit opozitës rrugore, për të cilën Basha ende nuk ka pranuar të bashkëpunojë. Megjithatë, partitë politike nuk duhet të harrojnë rolin vendimtar të opozitës parlamente, e cila ka në dorë ndryshimet elektorale dhe kushtetuese përmes votës së saj./ RealStory



Skip to toolbar