Debati Sejamini-Gjekmarkaj dhe cilit i japin të drejtë numrat

POLITIKË


Nga Eduard Zaloshnja

Një postimi publik të Neritan Sejaminit mbi “bijtë e etërve”, analisti Agron Gjekmarkaj iu përgjigj me një shkrim në gazetën “Panorama”. Sejamini mbrojti tezën se anatemimi i politikanëve të sotëm, për faktin se baballarët e tyre mund të kenë qenë pjesë e nomenklaturës komuniste, është një koncept totalitaro-komunist. Në kohën e diktaturës komuniste, argumentoi Sejamini, në qoftë se babai trajtohej si “armik”, ashtu trajtoheshin edhe fëmijët e tij të pafajshëm, madje edhe i gjithë farefisi.


Nga ana e tij, Gjekmarkaj, me sarkazmën karakteristike fishtiane, iu përgjigj Sejaminit se partitë në demokraci kanë edhe një vektor identitar përkatësie. Pa u futur në numra, të cilat nuk janë zeje e tij, Gjekmarkaj theksoi se elektorati i djathtë (i përndjekur gjatë diktaturës komuniste) e ka ndjerë veten të përfaqësuar nga PD-ja, deri sa pa marrë Basha frenat e saj në dorë. Avokati i Familjes Hoxha nuk mund të bëhet Sekretar i Përgjithshëm i PD-së, ‘këlthet’ Gjekmarkaj në shkrimin e tij.

Por le ta ndihmojmë me numra këtë debat fjalësh…

Fillimet

Kur PD-ja fitoi zgjedhjet për herë të parë (në vitin e largët 1992), për të votuan 1 milion e 60 mijë zgjedhës nga 1.6 milion pjesëmarrës . Në fillim të viteve ’90, nuk zhvilloheshin sondazhe, por mund të thuhet pa frikë se shumica dërrmuese e të persekutuarve dhe të shpronësuarve prej regjimit komunist votuan atëherë për PD-në.

Me kalimin e viteve, votat për PD-në pësuan firo të vazhdueshme. Pavarësisht mungesës së sondazheve, mund të thuhet se kjo firo ndodhi edhe pse PD-ja, dalëngadalë, e humbi mbështetjen e të persekutuarve dhe të shpronësuarve prej regjimit komunist. Le të kujtojmë se në vitin 1994, vetëm dy vjet pas ardhjes së PD-së në pushtet, kjo shtresë zhvilloi një grevë urie, e cila u shpërnda me dhunë nga shteti i drejtuar në atë kohë nga Sali Berisha.

Në ditët e sotme

Dhe vijmë në ditët e sotme, kur sondazhet janë bërë pjesë e natyrshme e jetës publike.

Nga një sondazh që zhvillova para disa vjetësh për fondacionin e djathtë gjerman Konrad Adenauer, rezultoi se 30% e zgjedhësve shqiptarë me banim në Shqipëri janë nga familje që u persekutuan prej regjimit komunist për shkaqe politike ose pronësie (çereku i tyre janë nga familje që kanë patur fillimisht raporte të mira me regjimin komunist, por më vonë u persekutuan prej tij). Duke e përkthyer përqindjen e mësipërme në numra zgjedhësish (shihni Tabelën 1), mund të thuhet se rreth 630 mijë zgjedhës me banim në Shqipëri i përkasin kësaj shtrese (s’mund ta dimë se sa jetojnë jashtë vendit).

Tabela 1. Prejardhja e zgjedhësve me banim në Shqipëri

Ish të persekutuar              630,000
Jo të persekutuar          1,470,000
Gjithsej zgjedhës në Shqipëri          2,100,000

Dhe sa prej këtyre zgjedhësve votuan në 2013-ën (kur PD humbi pushtetin) për partitë që e mbajnë veten për të djathta?

Nga sondazhi i sipërcituar, rezultonte se gjysma e tyre, rreth 330 mijë, votuan për këto parti në zgjedhjet e para 6 vjetëve, rreth 120 mijë votuan për koalicionin e majtë dhe 210 mijë nuk morën fare pjesë në votim (shihni Tabelën 2).

Tabela 2. Si votuan ish të persekutuarit me banim në Shqipëri në vitin 2013

Djathtas          320,000
Majtas          110,000
S’votuan          200,000
Zgjedhës ish të persekutuar          630,000

Janë pikërisht mospjesëmarrësit e 2013-ës (200 mijë), që mund të konsiderohen si zgjedhës të djathtë të zhgënjyer nga premtimet e pambajtura ndër vite të partive që pretendojnë se janë të djathta.

Teorikisht, ky 200-mijësh përbënte një rezervuar të mundshëm të votave për PD-në në zgjedhjet e 2017-ës. Por rezultati tragjik i atyre zgjedhjeve, sidomos në zonat urbane (ku jeton shumica dërrmuese e ish të persekuturave), tregoi se pati një korrelacion të fortë mes rënies së numrit të pjesmarrësve dhe rënies së PD-së, në krahasim me 2013-ën. 

Sa më sipër shërben si indicie se 200 mijë ish të persekutuarve që nuk votuan për PD-në para 6 vjetësh u janë shtuar edhe shumë të tjerë. Me gjasa, sot mund të jenë bërë 300 mijë.

Që PD-ja të bëhet sërish një parti konkurruese për pushtet, duhet t’i bindë këta qindra mijëra ish votues natyralë të saj të rikthehen në kutitë e votimit. Më poshtë janë disa pika programore, që PD-ja, si një parti e madhe, mund t’i ketë si busull të saj për të ardhmen:

DEKOMUNISTIZIMI – Ndërmarrja e iniciativave ligjore për dënimin dhe korrigjimin e krimeve komuniste, heqjen e titujve dhe dekoratave të diktatorit komunist, nomenklaturës së lartë si dhe të gjithë shpurës të sigurimit të shtetit, si dhe praktikave më të mira ndërkombëtare në lidhje me lustracionin.

MUZEALIZIMI , KURRIKULAT SHKOLLOR dhe VLERSIMEVE HISTORIKE  Krijimi i muzeve të kujtesës në vendet e vuajtjes, ballafaqimi i nxënësve dhe studentëve me pasojat e krimit komunist nëpërmjet kurrikulave si me anë të eskursioneve, ndërtimin e memorialit Kombëtar të Kujtesës në Tiranë së bashku me murin e Nderit, përmbyllja e plagës së gjetjes së eshtrave të viktimave të komunizmit dhe martirëve të lirisë, caktimin e një date përkujtimore, ku i gjithë shteti dhe shoqëria shqiptare në mënyrë solemne të nderojë e respektojë viktimat e regjimit komunist si dhe martirëve të lirisë.

REHABILITIMI – Përmirësime gjithëpërfshirëse të ligjit të cungët të dëmshpërblimit (përfshirja e dosjeve jashtë afatit, zgjerimi i datës nga 9 nëntor ’41, përfitimi i dëmshpërblimit të internuarve, mos-zbritja nga dëmshpërblimi i vlerës së shtëpive të privatizuara dhe e letrave me vlere, konvertimi në vlera monetare ose asete të letrave me vlerë), përcaktimi i kuotës (15% – 20% të përcaktuara me ligj në programet e punësimit, strehimit dhe arsimit,pension nderi, personave të burgosur politikë dhe të internuar)

PRONA – Rivendosja e të Drejtës Kushtetuese e shtetasve mbi pronën e mohuar dhe të grabitur nga shteti diktatorial, duke i kthyer pronën subjekteve të shpronësuara në zbatim të nenit 181 dhe 41 të Kushtetutës duke eliminuar  pasigurinë e titujve të pronësisë dhe faturën financiare që imponon legjislacioni aktual si dhe duke mbyllur konfliktet ndërmjet familjeve dhe hequr perfundimisht pengesat për investimet e huaja private, me qëllim realizimin e stabilitetit social dhe ekonomik. 

DIASPORA – Krijimin e një fondi dhe banke investimesh për diasporën (aksesi prioritar i diasporës që disponon knoë-hoë dhe mjete financiare në ekonominë e vendit, si psh: projekte me partneritet të bizneseve të diasporës në turizëm, infrastrukturë, bujqësi, energji, industri dhe shërbime), si dhe propozimi i nje kuote fikse  (jo me pak se 5%)  për përfaqësimin e diasporës në Parlamentin e Shqipërisë.

SHTETI LIGJOR –  Mbështeje e fuqishme e Vetingut dhe e të gjithë paketës së reformës në Drejtësi, sipas kërkesave të partnereve tanë strategjike (SHBA dhe BE), si kusht themeltar për mirëfunksionimin e shtetit ligjor në shërbim të interesave të publikut.




Skip to toolbar