Deputeti socialist Ilir Ndraxhi, emri i të cilit lakohet në përgjimet e publikuara nga gazeta gjermane BILD është marrë të enjten në pyetje nga prokuroria e Krimeve të Rënda. News 24 raporton se Ndraxhi është pyetur për rreth dy orë nga prokurorët në lidhje me përgjimet e BILD ku ai ka dhënë shpjegimet e tij për çështjen.
Në fakt Ilir Ndraxhi vetë nuk del në përgjime. Në përgjime del një bisedë mes Astrit Avdylaj teksa flet me Arjan Ndraxhin, vëllain e deputetit Ilir Ndraxhi. Në bisedë dëgjohet Avdylaj që i thotë Arjan Ndraxhit se i vëllai i tij do të jetë në listën e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet parlamentare të qershorit 2017.
Biseda ngriti dyshime të forta se është pikërisht Astrit Avdylaj, njeriu që ka ndikuar që Ndraxhi të jetë pjesë e listës, edhe pse deputeti ka mohuar çdo lidhje me anëtarët e grupit kriminal.
Ndërkaq prokuroria ka nisur hetimet në lidhje me këto përgjime dhe ka marrë të enjten në pyetje deputetin socialist Ilir Ndraxhi.
Më herët në media ai është shprehur se nuk ka folur kurrë me Astrit Avdylajn dhe se ai nuk ka pasur asnjë ndikim në kandidimin e tij si deputet.
“Nuk kam folur në asnjë moment me Astrit Avdylajn. Nuk ka pasur ndikim në kandidimin tim. Absolutisht asnjë lloj kontakti me të. Asnjëherë! Asnjë takim personal me të. Ai ka marrë vëllain tim. I ka thënë të lutem ta pranojë kandidimin Iliri sepse e kemi krenari ta kemi në zonë. Unë nuk kam folur me të. Madje, ata kanë qenë në burg e unë nuk e kam ditur që ata kanë dalë në liri. Edhe vëllai u çudit kur dolën përgjimet. Ai ka folur me të, siç ka folur edhe me shumë njerëz të tjerë. 200 apo 500 votat që mund të ketë ai, nuk kanë asnjë ndikim në 8000 vota që unë kisha në zonë falë popullaritetit tim. Isha i katërti në listë. Kam dale deputet nga mbështetja e votuesve të mi”, thotë Ndraxhi.
Deputeti socialist ka deklaruar gjithashtu se nuk do të lërë mandatin e deputetit dhe se është i hapur në çdo rast nëse organet e drejtësisë do të kërkonin paraqitjen e tij.