Demokratët mësyjnë në Facebook-un e Topallit, e kryqëzojnë me akuza si të PD-së

AKTUALITET


Pas kritikave që Jozefina Topalli ia numëroi të mërkurën Bashës një nga një, si me porosi kanë vërshuar një lumë kritikash ndaj saj nga komentuesit në facebook. Janë me qindra komentet kundër saj. E quajnë tradhtare, bashkëpunëtore me Ramën, dhe i bëjnë thirrje t’i rrijë larg Bashës e PD-së.

Ajo që bie në sy në përmbajtjen e komenteve është fakti se janë pothuajse të gjitha të ngjashme me deklaratën e lëshuar të mërkurën nga PD e Shkodrës. Janë të ngjashme edhe me shkrimet e publikuara nga gazeta zyrtare e PD-së, Rilindja Demokratike.

Topalli akuzohet se ishte ajo që promovoi Valdrin Pjetrin në Shkodrës pasi njihte të atin e tij. Topalli akuzohet se flet sa herë që Rama është në vështirësi dhe i del atij në krah. Topalli akuzohet se po tradhton partinë pasi nuk ka më interes dhe nuk përfiton më prej saj. Identike siç shkruante të mëkurën edhe PD e Shkodrës.

“Me qendrimin që ke mbajtur kundër nesh Jozefinë, PD, se Luli është një nga ne, dhe ti e di që ne jemi shumë, kam kujtuar se e mbërrite fundin, por qenkam gabuar. Të dalësh ti në krah të Luigj Pjetrit dhe të birit?!- Ti qofsh!..Haram respektin, mbështetjen, votën, djersën që të dhamë gjithë këto vite! Paske qenë veza komuniste në folenë tonë. Turp!”, shkruan Sabah Jemishta.

“Eh moj Xhozefin ti e bane drejtor VALDRIN PJETRIN ashtu siç bane deputet Tom Doshim dhe Paulin Sterkon …ja kush je ti një e infiltruar në PARTIN DEMOKRATIKE”, shkruan  Bukuroshe Gjevori.

“Znj. Topalli me gjithë respektin që kam për ju si Demokrate, si femër dhe si Shkodrane edhe ti ke gabimet tuaja dhe jo pak e jo të vogla gjithashtu shumë lehtë mund të them se je si motër binjake e Edi Rames.. t’u prishen interesat dhe na le ne baltë,!!”, shkruan Pjeter Zefi.

Tori Xhangolli shkruan: “Me paratë e korrupsionit që bëri si drejtor nën mburojën tënde, Valdrini ngriti hotel në Tiranë. Si nuk të vjen turp që del dhe bën status ?! Je kampione e nepotozmit prandaj u katandis ashtu PD-ja, fatkeqësisht nuk je e vetme, jeni shumë”.

Qemal Çejku shkruan: “Ti del sa herë që Rama është në hall politik, turp për ty dhe gjynah për ata vite që ke qenë pjesë e PD…”.

Siç shihet qartë, komentet kanë të njejtën përmbajtje me deklaratën e lëshuar nga dega e Partisë Demokratike në Shkodër, çka lë të kuptosh se janë komente të porositura nga lart./Realstory.al



Skip to toolbar