Protesta në Shkodër, shansi i humbur i Bashës, e braktisi njëlloj si Kamzën

#NËRADAR


Demokratët shkodranë u ngritën të mërkurën në protestë menjëherë pasi PD nxorri dokumente që implikojnë kryebashkiakun socialist Valdrin Pjetri. Pas disa javësh qetësi demokratët e Shkodrës treguan se nuk janë të gjithë me pushime, por ka edhe nga ata që reagojnë në situata të tilla. Dhe në fakt rasti i Pjetrit ishte një shanc për PD-në, të cilës i dha një kauzë të fuqishme për ta mbështetur në këto ditë boshe gushti.

Një mundësi edhe për kreun e PD-së Basha që të dilte në krah të demokratëve dhe të mbante gjallë frymën e opozitës, si dhe të përmbushte në një farë mënyrë premtime që i ka bërë kryebashkiakëve të djathtë por edhe demokratëve dhe militantëve të kësaj partie se bashkitë e djathta do t’i mbrojnë me çdo mjet e me çdo kusht.


Por ajo që ndodhi ishte e kundërta. Shkodra ishte një tjetër shans i humbur, një tjetër mundësi e çuar dëm. Basha nuk u shfaq në Shkodër. Ai e braktisi ashtu siç bëri me të gjitha bashkitë e djathta. Pas fushatës që ndërmori në strukturat e PD-së në disa qytete, dhe premtimeve që s’do lëshojmë asnjë zyrë, kreu i PD-së i la të gjithë në baltë dhe zyrat u lëshuan një nga një.

E gjitha PD-ja u përfaqësua në qytetin bastion të saj vetëm me Bardh Spahinë një figurë dytësore e partisë dhe për më tepër i dënuar nga gjykata për djegien e shkollës në protestat e PD-së para zgjedhjeve të 30 qershorit.

Kreu i PD-së, Basha u kënaq vetëm me një konferencë shtypi të mbajtur mesditën e djeshme. Një konferencë e njoftuar në 12 e 30, por që nisi 1 orë me vonesë për arsye që nuk dihen përse. Menjëherë pas saj Basha u zhduk, sigurisht pasi dha porosi që të sulmohej hapur Jozefina Topalli që ia numëroi të gjitha një më një kreu të PD-së, ndërsa paralajmëroi nisjen sa më parë të lëvizjes Basha Ik.

Basha nuk shkoi në Shkodër për të mbështetur sa për shoë Voltanën e cila ç’nuk bëri për PD-në, madje ishte e gatshme të merrte vetë molotovët në dorë dhe të pengonte zgjedhjet. E braktisi njëlloj siç bëri me Xhelal Mziun në Kamzë, ku jo vetëm që nuk shkoi vetë, por nuk dërgoi asnjë përfaqësues të partisë, asnjë anëtarë kryesie, asnjë ish deputet. Basha braktisi dy bastione, Shkodrën dhe Kamzën aty ku PD gjente mbështetje dhe mbushte sheshin sa herë thërriste për protesta.

Basha ka njoftuar se në shtator do të nisë sërish sezoni i protestave por nuk dihet se ku do t’i gjejë militantët për të mbushur bulevardin.

Rasti i Valdrinit ishte një mundësi që PD të bashkohej rreth kauzës, të shfaqej më e fortë, të zgjonte shpresë se PD është gati të luftojë, të garojë, të fitojë sërish pushtetin në qytetin bastion të së djathtës. Por e gjitha përfundoi në një protestë të vakët ku mungonte kreu i PD-së./Realstory.al




Skip to toolbar