“E shpërfytyruar, robot i Ramës”, gazeta zyrtare e PD sulmon ashpër Topallin

AKTUALITET


Gazeta zyrtare e Partisë Demokratike, “Rilindja Demokratike”, ka sulmuar ashpër ish-kryeparlamentaren dhe numrin dy të kësaj partie, Jozefina Topalli. Kjo, pas akuzave të ashpra të Topallit, në drejtim të Lulzim Bashës. Ajo që të bën përshtypje në këtë sulm, është gjuha denigruese e “RD”-së, ndaj një prej figurave më të rëndësishme të Partisë Demokratike për më shumë se dy dekada. Por, në PD kjo gjë nuk është një gjë e re, pasi kush del kundër vijës zyrtare të Sali Berishës, sulmohet dhe denigrohet në mënyrën më të poshtër të mundshme. Nuk ka rëndësi se kush është ai/ajo dhe kontributi që ka dhënë ndër vite për Partinë Demokratike.

“U shfaq sërish Jozefina. Ajo që nuk flet ansjëherë par hallet e shqiptarëve, por kujtohet sa herë ka hall Rama. Sa herë i del ndonjë kriminel, ajo shfaqet me telekomandën e Kryeministrisë dhe si një robot përcjell në facebook statuset që i shkruajnë oborrtarët në qeveri.


Një shpërfytyrim i asaj që ka pasur të gjitha privilegjet e pushtetit të PD dhe tani mundohet të kapë çfarë të mundet nga regjimi kriminal duke u kthyer një pastruese të njollave të kreut të organiztaës kriminale. Përpiqet të hiqet si mbrojtëse e të djtahtës shkodrane në një kohë që kur ishte atje ku ishte në pushtet shkonte në Shkodër dhe kërkonte të majtët, se të djathtët mendonte se i kishte në xhep. E mbushi administratën e Kuvendit me të majtë nga Shkodra dhe në krye të institucioneve kryesore të Shkodrës vendoste ata pak të majtë që ti kërkoje me qirinj nuk i gjeje në Shkodër.

Rama e tundi sërish sot Jozefinën nga gjumi letargjik për të hequr sado pak vëmendjen nga kriza e rëndë në të cilën ndodhet dhe bomba që i ka shpërthyer me trafikantit të rradhës të drogës që e emëroi në krye të Bashkisë së Shkodrës. Jozefina që mundohet të bëjë opozitën e opozitës pa kuptuar se përtej luksit të saj të siguruar nga privilegjet e pushtetit të djeshëm dhe regjimit të sotëm, ka një popull që nuk jeton si ajo dhe që të vetmin shpëtim e shikon tek largimi i së keqes.

Jozefina e ka kuptuar se tani është një kartë e djegur, se askush nuk i shkon më pas dhe se koha e saj ka perënduar një herë e mirë ndaj ka venosur ti ngjitet nëpër këmbë kreut të qeverisë për të kapur çfarë të mundet. Mirë e bën. Kap çfarë mund të kapësh, por vetëm shpejt se nuk i dihet, dhe ndoshta nga Tetori nuk do të kesh më çfarë të kapësh”, thuhet në shkrimin e “RD”, që duket se është bërë me dorën e vetë Berishës, i cili në këto raste përdor pseudonime.

Për më tepër që dihet se kjo gazetë kontrollohet pikërisht nga Berisha dhe nuk sulmohet askush nga PD, pa lejen e tij. (Tema)




Skip to toolbar