Denaj: Në 2021 fatura elektronike për çdo pagesë dhe produkt

EKONOMI


Duke filluar nga viti 2021, çdo faturë do të jetë elektronike për të mbajtur nën kontroll informalitetin. Gjatë një interpelance të enjten me përfaqësues të biznesit, ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj theksoi se duke nisur nga 2021 fatura elektronike për çdo pagesë që kryen biznesi me konsumatorin apo biznesi me biznesin dhe qeverinë, cash apo me bankë, është vlerë e shtuar në uljen e informalitetit në ekonominë e vendit.

Denaj gjithashtu bëri me dije se është duke u përgatitur draft ligji për këtë faturë elektronike. Ajo bëri tha se ky draft ligj do të dalë në muajin gusht për konsultim publik. “Ne jemi duke përgatitur këtë javë draft ligjin për faturën elektronike i cili do të dalë në muajin gusht për konsultim publik. Është një draft ligj i punuar paralelisht me një ekip që ka përgatitur edhe softuerin, që ndihmon zbatimin e këtij ligji. Kjo do të sjellë që në 2021 të kemi fatura elektronike në të gjitha marrëdhëniet tregtare që janë cash biznesi me klientin apo nëpërmjet sektorit bankar biznesi me biznesin. Kjo do të thotë që e gjithë platforma e qarkullimit do të jetë elektronik e plotë për çdo faturë dhe artikull, duke na dhënë mundësinë neve të jemi efektiv dhe të shkojmë aty ku ndodh evazioni”, tha Denaj. Duke pasur faturat elektronike, tatimet mund të shikojnë periodicitetin e prerjes së faturave nga një biznes dhe nëse ka dyshime se një biznes nuk po pret fatura, atëherë tatimorët e verifikojnë në terren, duke marrë masat përkatëse. Në këto kushte, bizneset detyrohen të presin fatura për çdo pagesë ose produkt që t’i shpëtojnë gjobave të majme.


“Për këtë proces jemi mbështetur nga një kompani kroate e cila e realizojë këtë proces para disa vitesh me sukses në Kroaci, me evidenca të shtuara të uljes së infomalitetit në ekonomi menjëherë pas implementimit të tij”, theksoi Denaj. Ministrja shpjegoi se, institucionet do të jenë në komunikim të vazhdueshëm me biznesin për aplikimin e faturës elektronike me qëllim efektivitetin e këtij ligji, për të gjithë në të ardhmen.




Skip to toolbar