Dënimi i Saimir Tahirit nga gjykata shqiptare ka gjetur pasqyrim edhe në mediat e huaja, duke nisur që nga Reuters e Euronews e deri tek mediat serbe e italiane.
Ajo që bie në sy është se mediat ndërkombëtare e lidhin vendimin për Tahirin me vendimin e Këshillit të Europës për çeljen e negociatave me BE-në. Një ndër kushtet është që Shqipëria të japë prova konkrete që drejtësia funksionon.
Euronews shkruan se “një nga yjet në rritje të Partisë Socialiste kur u emërua ministër i Brendshëm në vitin 2013 në moshën 34 vjeç, Tahiri filloi ‘modernizimin’ e forcës policore dhe i dha fund prodhimit në shkallë të lartë të kanabisit në Lazarat në fillim të vitit 2014”.
“Gjykata shqiptare shpalli fajtor ish ministrin e brendshëm Saimir Tahiri për shpërdorim detyre, por të pafajshëm për trafik droge, duke e dënuar me tre vite e katër muaj shërbim prove. Prokurorët donin që Tahiri, dikur një nga bashkëpunëtorët më të afërt të kryeministrit Rama, të dënohej me 12 vite burg me akuzat për korrupsion, trafik droge dhe pjesë e grupit kriminal, akuza të cilat tronditën administratën e majtë. Vendimi vjen një muaj para se vendet anëtare të BE-së, vendosin për të çelur negociatat ose jo”, shkruan euronews që me tej citon ministrin. “Gjykata tha që nuk jam kriminel apo trafikant droge dhe nuk jam pjesë e një grupi kriminal, por më shpalli fajtor për shpërdorim detyre sepse kam përdorur të njëjtën makinë me disa kushërinj”, u tha Tahiri gazetarëve pas verdiktit.
Media italiane Ansa shkruan se me vendimin e saj, Gjykata hodhi poshtë kërkesën e prokurorisë për një dënim prej 12 vitesh për trafik droge dhe pjesë e një organizate kriminale.
“Ish ministri i qeverisë Rama, në detyrë deri marsin e vitit 2017, përfundoi në hetime pas dosjes së shqyrtuar në Itali, që çoi edhe në shkatërrimin e një organizate kriminale me italiane dhe shqiptarë, disa të afërm të ish-ministrit, të cilët akuzohen për trafik ndërkombëtar të drogës dhe armëve. Ish ministri Tahiri njoftoi mbrëmë se do të apelojë vendimin”.
Media serbe Blic shkruan: “ish ministri i brendshëm shqiptar është dënuar me tre vite shërbim prove, për shpërdorim detyre. Gjykata hodhi poshtë akuzat nga prokuroria, për pjesë të grupit kriminal. Në sallën e gjyqit, por dhe jashtë pasi mori vendimin ai tha para gazetarëve: Më akuzuan se i kisha shitur makinën një kushëriri të largët, por mohoi kategorikisht çdo lloj lidhje me Habilajt”.
Ndërsa Reuters thekson se Tahiri dikur ka qenë një nga bashkëpunëtorët e afërt të kryeministrit Rama, ndërsa gjykata e shpalli fajtor për shpërdorim detyre. Vendimi, shkruan Reuters vjen vetëm një muaj para se vendet e BE-së të vendosin për çeljen e negociatave për Shqipërinë.
“Një gjykatë shqiptare e shpalli fajtor ish-ministrin e brendshëm Saimir Tahiri të enjten për shpërdorim detyre por të pafajshëm për trafik droge, dhe e dënoi atë me tre vjet shërbim provë.
Prokurorët donin që Tahiri, dikur një nga bashkëpunëtorët më të afërt të kryeministrit Edi Rama, të burgosej për 12 vjet me akuzën e korrupsionit, trafikut të drogës dhe të qenurit pjesë e një grupi kriminal, një rast që ka tronditur administratën e majtë.
Vendimi vjen një muaj para se vendet anëtare të Bashkimit Evropian, të interesuar të shohin Tiranën të rritë luftën e saj kundër korrupsionit, të takohen për të vendosur nëse do të mbështesin ofertën e Shqipërisë për të filluar bisedimet e pranimit të rekomanduara nga Komisioni i BE”, shkruan Reuters.