Depolitizimi i administratës zgjedhore, Partia Demokratike del kundër rekomandimeve të ODIHR

#NËRADAR


Partia Demokratike i është përgjigjur propozimit të bashkëkryetarit të komisionit për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri, i cili mbështeti propozimin e ekspertëve për depolitizimin e administratës zgjedhore. PD është kundër kësaj ideje, duke e argumentuar atë raportin e OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 30 qershorit. 

“Edi Rama nuk ka ndërmend të bëjë një reformë zgjedhore që garanton lirinë e votës, por vetëm të tallet me OSBE/ODIHR, me Bundetsgun, me shqiptarët. Ai synon të sanksionojë me ligj standardin e 30 Qershorit, ku administroi i vetëm procesin. Këtë qëllim ka edhe propozimi i PS që administrimin e zgjedhjeve ta bëjnë punonjësit nën varësinë e Edi Ramës. Administrata publike është e pabesueshme për të administruar një proces zgjedhor me standarde europiane. Raporti i ODIHR-it ka provuar se punonjësit e administratës janë nën presion politik, si dhe është bërë e qartë se ajo është e mbushur me militantë të Partisë Socialiste”, shprehet Gazmend Bardhi në përgjigjen drejtuar mediave.

Po çfarë tha Damian Gjiknuri të enjten në konferencë për shtyp?. “Ka ardhur momenti që Shqipëria të ketë një administratë zgjedhore të depolitizuar. Pasi të ketë një proces trajnimi, këta njerëz do të certifikohen. Ata do të zgjidhen me short dhe nuk do të propozohen nga partitë politike. Ne e vlerësojmë këtë proces që duhet thënë se është vizionar dhe përbën një risi që duhet vlerësuar”, tha bashkëkryetari i komisionit të Reformëz Zgjedhore.  Në fakt, nisur nga ky pohim, mjafton t`i referohesh rekomandimeve të OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 30 qershorit, dhe kupton se ajo çka propozojnë ekspertët është as më shumë e as më pak, por ajo që kërkon ODIHR.

“Në përputhje me rekomandimet e mëparshme të ODIHR, në mënyrë që të rritet besimi i publikut në procesi zgjedhor, duhet t’i kushtohet vëmendje formulave alternative për emërimin anëtarët e administratës zgjedhore. Masat efektive duhet të merren për të forcuar më tej metodat e rekrutimit dhe trajnimit të komisionerëve për të siguruar profesionalizmin e tyre. Për të rritur profesionalizmin dhe kapacitetin e komisioneve zgjedhore, KQZ mund të ofrojë trajnime periodike dhe certifikim e komisionerëve të mundshëm, me qëllim me krijimin e një liste me njerëz të kualifikuar”, thotë ODIHR.

Pra, propozimi i ekspertëve për depolitizimin e administratës zgjedhore, mbështetur nga komisioni parlamentar, është i bazuar në rekomandimet e OSBE/ODIHR, që thekson se duhet “formula alternative për emërimin e administratës zgjedhore”, duke vijuar më tej me përcaktimin se: “KQZ duhet të ofrojë trajnime periodike dhe certifikimin e komisionerëve”. Ndonëse rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe propozimi i ekspertëve për depolitizimin e administratës zgjedhore janë të qarta, mbetet për t`u shpjeguar ky qëndrim i ri i opozitës kundër depolitizimit të administratës zgjedhore, ndonëse më herët është shprehur se “reforma zgjedhore duhet të bëhet mbi bazën e rekomandimeve të OSBE/ODIHR”. /Realstory.al/



Skip to toolbar