Deputeti gjerman: Kushtet për Shqipërinë, të papranueshme

POLITIKË


Të Gjelbërit në Bundestag janë pro hapjes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe madje e cilësojnë atë si një vendim të vonuar për të dy shtete. Politikani i Të Gjelbërve, Manuel Sarrazin kritikoi hapur kushtet që iu vendosën Shqipërisë duke e cilësuar atë të padrejtë. Sarrazin tha se të dy vendet janë gati për të çelur negociatat, ndërsa shtoi se BE duhet të tregojë se është një partner i besueshëm.   

Ne, Të Gjelbrit, do ta miratojmë çeljen e negociatave të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në BE. Ky vendim vjen i vonuar dhe u vonua vetëm për shkak të taktikës së zvarritjes të disa pjesëve të grupit parlamentar CDU / CSU. Të dy vendet i kanë përmbushur mjaftueshëm kushtet. BE-ja tani duhet të tregojë se është një partner i besueshëm dhe të hapë bisedimet e anëtarësimit në BE. Kushtet shtesë të formuluara nga koalicioni për Shqipërinë e tejkalojnë objektivin. Është e papranueshme që Shqipëria çdo vit të duhet të përmbushë kushte të reja për negociatat e anëtarësimit në BE.  Kjo nuk është vetëm e padrejtë, por edhe e padenjë për një bashkë-ekzistencë evropiane,” – shprehet Manuel Sarrazin në një deklaratë për Deutsche Welle-n.


Të gjelbërit iu shtuan në këtë mënyrë votës “pro” hapjes së negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, pas CDU/CSU dhe SPD. E vetmja që mbetet ende skeptike është Alternativa për Gjermaninë (AfD), ndërsa pritet që Bungestagu të miratojë më 26 shtator hapjen e negociatave për të dy shtetet.




Skip to toolbar