Derbi, habit trajneri i Partizanit, Lerda: Tiranës i sjellë fat

SPORT


Pas katër ndeshjesh në Superligë, Partizani ka fituar vetëm dy, ndërsa ka humbur dy të tjera. Nuk ka qenë nisja që prisnin të gjithë nga ekipi kampion. Megjithatë, trajneri Franko Lerda ka folur për takimin me Bylis, por me mendjen te derbi me Tiranën. Për sfidën e pestë të kampionatit kundër mallakstriotëve, Lerda shprehet se do t`i kërkojë lojtarëve të jenë agresiv në këtë takim. “Bylis nuk është aspak i lehtë. Ka vlerësimin maksimal tonin. E kam ndjekur me vëmendje në dy takimet që kanë zhvilluar si ndaj Skënderbeut, ashtu edhe ndaj Kukësit. Do të kërkoj nga skuadra ime të jetë mjaft agresive. Është një skuadër që vrapon shumë, por ne duhet të kemi qetësinë e duhur. Të jemi të qetë dhe në fund të marrim 3 pikët”, ka thënë Lerda.

Gjatë konferencës për shtyp, trajneri i Partizanit ka konfirmuar se në skuadër ka presion, për më tepër që ekipi është kampion. Megjithatë, sipas trajnerit italian, skuadra është në harmoni. “Kur je pjesë e Partizanit dhe sidomos kur je skuadër kampione, ke më shumë presion se ekipet e tjera. Sezonin e kaluar Partizani nuk u nis si skuadër që do të synonte titullin kampion, pra nuk kishte atë impenjim që ka impenjimin këtë edicion sepse do të mbrojmë titullin kampion. Kjo cilëson presionin që ka skuadra. Të gjithë ekipet duan të bëjnë mirë, duan të fitojnë ndaj nesh dhe kjo mund të na sjellë presion. Mendoj që harmonia është shumë e mirë. Besoj se diçka e tillë ndodh në gjithë ekipet e tjera”, ka thënë Franko Lerda.

Lerda, pasi ka analizuar situatën në ekip, ka folur edhe për kryesfidën e javës së gjashtë të kampionatit, derbi Tirana-Pratizani. Trajneri italian është shprehur se për të nuk është domosdoshmëri fitorja e të shtunës ndaj Bylisit, duke lënë të kuptohet, se energjitë e skuadrës do të përqëndrohen për Tiranën, megjithëse shprehet se nuk i druhet bardhebluve. “Nuk kemi pse t’i druhemi Tiranës. Kam parë vetëm një pjesë loje të ndeshjeve të saj. E kam ndjekur vetëm një ndeshje në stadium Tiranën. I kam sjellë fat Tiranës pasi në atë ndeshje ka fituar 3-0 kundër Luftëtarit. Duhet ta përgëzojmë për çfarë ka bërë deri më tani pasi gjendet aktualisht në vendin e parë. Akoma s’kam krijuar një mendim të qartë për ta. Objektivi ynë është ndeshja e nesërme kundër Bylisit”, tha Lerda.



Skip to toolbar