Kalari flet si trajner: E kisha menduar ndryshe, por do jap maksimumin me Partizanin

AKTUALITET


Reindalo Kalari do të drejtojë Partizanin në sfidën e radhës në kampionat, pas shkarkimit të trajnerit Frako Lerda. Ish-futbollisti i të kuqve, që luante rolin e ndihmës trajnerit, debuton të mërkurën në krye të stolit të Partizanit ndaj Teutës. Kalari foli për mediat të martën, duke u shprehur se e  kishte ëndërruar gjithmonë të kishte postin e trajnerit të parë. Ai tha se, ashtu si futbollist dikur, tashmë si trajner në dy ndeshjet e radhës me Partizanin do të jap maksimumin.

“E kam ëndërruar që të isha këtu ku jam sot, pavarësisht se në një situatë tjetër, me më shumë eksperiencë, me më shumë vite mbi shpinë, në këtë profesion të ri. Është diçka që e kisha menduar. Erdhi në një situatë ndryshe, por kam besimin e plotë të presidentit Demi dhe klubi. Ashtu si lojtar, edhe në pozicionin e trajnerit, për këto 2 ndeshje do të jap maksimumin, për të arritur ato objektiva që ka klubi”, ka thënë tekniku i ri.


Ndërkohë, humbja në derbi nuk e ka “shokuar” skuadrën e Partizanit. Kalari shprehet se askush nuk mërzitet nëse humb derbin një herë në 6 vjet. “Fjala ‘shok’ nuk ka shkuar asnjëherë te Partizani, pavarësisht humbjes. Është diçka që ndodh. Të gjithë logjikisht nuk do ishin mërzitur nëse e humb derbin njëherë në 6 vjet. Ne kemi objektiva të tjerë, që janë venë në fillim të sezonit, duhet të arrijmë ato. Gjatë rrugës ka luhatje”, tha ai.

Në fund, trajneri i ri u shpreh se si ai dhe skuadra janë gati për të bërë më të mirën në kampionat.  “Në momentin që je në një skuadër si Partizanin, edhe lojtarët janë përgatitur që të dalin nga kjo situatë. Unë jam i përgatitur, që me këta lojtarë që ka Partizani, janë nga më të mirët e kampionatit, në rolet që luajnë”, është shprehur Kalari.




Skip to toolbar