Derbi i kryeqytetit, Shehi: Ndaj Partizanit vetëm për fitore

Më të fundit


Trajneri i Tiranës, Orges Shehi ka folur para mediave, në prag të derbit të kryeqytetit ndaj Partizanit, sfidë kjo e cila do të luhet ditën e nesërme në “Air Albania”. Tekniku i bardhebluve u shpreh se është një ndeshje e rëndësishme dhe skuadra e tij do të futet në fushë vetëm për fitore. Më tej ai tha se në një derbi si ky nuk ndikon as klasifikimi dhe as pikët, pasi zërohet gjithçka dhe shtoi se kjo është një sfidë sikur të luhej në javën e parë.

“Dihet rëndësia që ka derbi, sigurisht është një ndeshje që ka impakt te të gjithë, sidomos te tifozët dhe lojtarët. Është një ndeshje e rëndësishme por që vlen tre pikë dhe është vetëm fillimi i kampionatit. Skuadra vjen e plotë, kemi rikuperuar lojtarë që nuk ishin javën e kaluar dhe jemi të plotë për sfidën e nesërme.


Dihet rëndësia që kanë tifozët për skuadrën tonë, jo vetëm për këtë ndeshje, por edhe në të tjerat kanë qenë të shumtë dhe i falënderoj. Jam i sigurt që nesër kemi një ndeshje ku do të bëjmë maksimumin për t’i kënaqur.

Mendoj se nuk ka sfida personale, janë kolektive. Luajnë dy skuadra që i japin tonin kampionatit tonë, janë ato më me rivalitet dhe histori. Ju i mbani statistikat, ne do të mundohemi nesër të marrim fitoren dhe vetëm për këtë do futemi në fushë për të vazhduar rrugëtimin tonë

Të gjithë derbit që mbaj mend unë dhe ka shumë vite që i mbaj mend, nuk ka pasur ndikim klasifikimi, zerohet gjithçka, zerohen pozicionet dhe për një ndeshje duket sikur luhet java e parë e kampionatit pa pasur rëndësi pozicioni.

Dita para derbit ka qenë ditë entuziaste, sepse vinim pas një periudhe të vështirë, duke parë çfarë kaluam, vinim pas një fitoreje shumë të rëndësishme ndaj kampionëve. U kam thënë lojtarëve të jemi të qetë, të mundohemi të kontrollojmë emocionet se të dëmtojnë. Kam marrë përgjigje nga skuadra jo me fjalë, por vepra në stërvitje. Skuadra vazhdon të jetë e motivuar dhe përqendruar pavarësisht kundërshtarit që kemi përballë.

Nuk janë sfida personale dhe skuadrat nuk përbëhen nga individë, ka lojtarë kualitativë por jam më shumë i interesuar te skuadra ime dhe shpresoj të bëjmë mirë punën tonë. Po të bëjmë mirë atë që besoj se mund të bëjmë, besoj se do të dalim fitimtarë”, u shpreh Shehi.




Skip to toolbar