Deputetët e Kuvendit të Kosovës për të 27-tën herë me radhë kanë dështuar që të konstituojnë përbërjen e re parlamentare, të dalë nga zgjedhjet e shkurtit.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lista Serbe sërish refuzuan, në vazhdimin e seancës konstituive më 4 qershor, që të propozonin një përfaqësues që do të siguronte mbarëvajtjen e votimit të fshehtë.
Votimi i fshehtë është propozuar në vazhdimin e seancës konstituive më 1 maj nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari, pasi e propozuara për kryeparlamentare nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, në disa votime të hapura dështoi që të merrte 61 vota për t’u zgjedhur në këtë post.
Çështja e votimit të fshehtë po kundërshtohet nga partitë që mandatin e kaluar ishin në opozitë dhe është dërguar në Gjykatën Kushtetuese për interpretim. Ato vlerësojnë se mënyra se si LVV-ja po tenton që kryetari i ri i Kuvendit të zgjidhet përmes votës së fshehtë është jokushtetuese, duke kërkuar nga Gjykata që të marrë “një masë të përkohshme për ndalimin e mbajtjes së seancave, derisa me prioritet ta trajtojë këtë lëndë dhe të marrë një vendim”. Kjo ishte hera e nëntëmbëdhjetë që deputetët refuzuan votimin e fshehtë për kryeparlametar. Seanca konstituive, që nisi më 15 prill, do të vazhdojë më 7 qershor.
Për shkak moskonstituimit të Kuvendit, përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje kanë përmendur mundësinë që zgjedhjet e reja të parakohshme parlamentare të mbahen njëkohësisht me ato lokale të rregullta, të cilat pritet të shpallen për muajin tetor.
Këtë ide e ka paraqitur Albulena Haxhiu nga Vetëvendosje, gjatë një takimi me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila diskutoi me të gjitha partitë politike për datën e zgjedhjeve lokale.
“Për ne është e rëndësishme që të konstituohet Kuvendi, të votohet Qeveria, por nëse sot ka qenë e 18-ta seancë prej kur është bërë propozimi për Komisionin për votimin e fshehtë dhe nuk ka vullnet, atëherë ne nuk po shohim zgjidhje. Edhe Partia Demokratike e Kosovës u pajtua me këtë. Ideja ishte e imja. Kisha vullnet për ta diskutuar këtë”, ka thënë Haxhiu më 4 qershor.
Megjithatë, Abelard Tahiri, nga Partia Demokratike e Kosovës, deklaroi pas mbledhjes të së enjtes se ai mendon se ato zgjedhje duhet të jenë të ndara.
Ai tha se, nëse duhet të shkohet në zgjedhje të reja parlamentare, kjo duhet të ndodhë më herët, e jo në tetor kur mbahen zgjedhjet e rregullta lokale.
Arben Gashi, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, tha të enjten se “mund të ndodhë që të vijmë në një situatë ku zgjedhjet e reja do të jenë zgjidhje”, edhe pse do të ishte “shumë e komplikuar për KQZ-në që t’i organizojë ato së bashku (me lokalet)”.
Pse spo votohet Haxhiu?
PDK-ja dhe AAK-ja e konsiderojnë Haxhiun figurë përçarëse, duke kërkuar që LVV-ja – fituesja e zgjedhjeve që ka të drejtën ekskluzive të propozojë kandidatin për kryeparlamentar – të ndryshojë emrin.
LVV-ja insiston se Haxhiu e meriton të zgjidhet kryeparlamentare, teksa së voni, kjo parti ka thënë se po pret vendimin e Kushtetueses për këtë çështje.
LDK-ja, ndërkaq, ka thënë se nuk do të votojë asnjë të propozuar nga LVV-ja për postin e kryeparlamentarit. Për ta konstituuar Kuvendin, deputetët duhet të zgjedhin kryetarin e ri dhe pesë nënkryetarët, për të cilët nevojiten 61 vota.
Vetëm pas zgjedhjes së tyre, organi ligjvënës konsiderohet i konstituuar, dhe pas kësaj hapet rruga për formimin e Qeverisë së re të Kosovës.
Shoqëria civile në Kosovë dhe faktori ndërkombëtar kanë bërë thirrje që Kosova të formojë sa më shpejt institucionet e reja.