Të tjera detaje kanë dalë nga vrasja e dyfishtë që ndodhi në qytetin e Patosit. Sipas Neës 24, viktima Manol Rapaj kishte bërë tre ditë më parë kallëzim penal ndaj autorit të vrasjes Martin Skëndaj, pasi Skëndaj dhe babai i tij e kishin pasur një debat me 22-vjeçarin. Ata pretendonin se Rapaj kishte ngacmuar motrën e Martin Skëndaj.
Sipas denoncimit të bërë në polici, Rapaj kishte thënë se në momentin kur ata kishin shkuar për t’u sqaruar, kishin pas me vete edhe mjete prerëse. Pas denoncimit, materialet i kishin kaluar Prokurorisë së Fierit për kanosje.
Ndërkohë, banorët e lagjes ku banonin viktima dhe autori, janë shprehur se i njihnin për çuna të urtë dhe se më parë nuk kishin dëgjuar për konflikte. “Nuk di asgjë për konflikt mes tyre, vetë si person nuk kam dëgjuar gjë. Shumë të mirë ishin të dy, edhe viktima, edhe ish-polici i burgut. Unë isha në punë, kur erdha në shtëpi e pashë në televizor”, është shprehur një banor në Patos.