Disiplina përjashton Shkumbinin. Dënohen 4 lojtarë të Teutës dhe Partizanit

AKTUALITET


Komisioni i Disiplinës në Federatën Shqiptare të Futbollit bëri shembull ekipin e Shkumbinit në Kategorinë e Parë, duke e zbritur një kategori më poshtë për sezonin e ardhshëm.

Disa ditë më parë, në sfidën mes Shkumbinit dhe Dinamos në stadiumin e qytetit të Peqinit, futbollistët dhe tifozët vendas dhunuan arbitrin e ndeshjes. Për këtë arsye, Disiplina vendosi të dënojë me 1.000.000 lekë dhe përjashtim nga çdo aktivitet futbollistik për sezoni 2019-2020.


Gjithashtu, “në bazë të nenit 28 të KDS, zbritjen e KF Shkumbini në një kategori më të ulët, në Kampionatin Kombëtar të Futbollit të Kategorisë së Dytë. Në bazë të nenit 57/2 të KDS, KF Shkumbini, humbet ndeshjen kundër KF Dinamo, në tavolinë me rezultatin 0-3 si dhe i zbriten 3 (tre) pikë nga klasifikimi”, thuhet në vendimet e Komisionit të Disiplinës.

Komisioni i Disiplinës dënoi dhe futbollistin e Shkumbinit, Andi Bakiasi, është përjashtuar përjetësisht nga çdo aktivitet futbollistik i organizuar nga FSHF.

Gjithashtu, katër futbollist, të Teutës dhe Partizanit që u ndëshkuan me karton të kuq në sfidën e mesjavës, janë pezulluar me nga pesë ndeshje secili.

Konkretisht, Fabjan Beqja dhe amer Duka nga Teuta si dhe William Cordeiro dhe Deian Boldor nga Partizani nuk do të jenë në dispozicion të ekipeve të tyre në pesë ndeshjet e ardhshme. Ata dënohen pasi në sfidën mes Teutës dhe Partizanit pati një sherr masiv mes lojtarëve të të dyja skuadrave.




Skip to toolbar