Dhjetëra të plagosur nga sulmet me raketa në Kiev

BOTA


Mbetjet e raketave ruse të rrëzuara prej mbrojtjes ajrore ukrainase, kanë dëmtuar një spital dhe një ndërtesë banimi në kryeqytetin ukrainas Kiev, duke plagosur të paktën 50 persona, kanë thënë autoritetet e qytetit.

Sulmi ka ndodhur teksa presidenti i shtetit, Volodymyr Zelensky ka qenë jashtë vendit, në një vizitë në Uashington, ku presidenti amerikan, Joe Biden, ka paralajmëruar që Rusia po pret që Shtetet e Bashkuara ta braktisin Ukrainën.


Kjo shifër përbën numrin më të madh të të plagosurve në Kiev, në muajt e fundit.

Banorët e Kievit e kalojnë natën në qiell të hapur si pasojë e sulmeve ruse
FotogaleriBanorët e Kievit e kalojnë natën në qiell të hapur si pasojë e sulmeve ruse

Sergiy Popko, udhëheqës i administratës ushtarake të qytetit, ka thënë se 51 persona janë plagosur, përfshirë gjashtë fëmijë.

Mbrojtja ajrore ukrainase ka thënë se Rusia i ka nisur 10 raketa drejt Kievit, të cilat janë rrëzuar.

Gazetarët kanë raportuar për shpërthime dhe lëshim të sirenave.

Kryetari i Kievit Vitali Klitschko, ka thënë se si pasojë e mbetjeve të raketave është dëmtuar edhe një rrjet i furnizimit me ujë.

Lufta e plotë e Rusisë në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022.

Presidenti rus Vladimir Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.




Skip to toolbar