Dhunuan rëndë 28-vjeçarin, arrestohen tre persona në Tiranë

AKTUALITET


Policia e Tiranës arrestoi në flagrancë tre shtetas, një prej të cilëve plagosi rëndë një person, ndërsa dy të tjerët kundërshtuan forcat e policisë gjatë kohës që po arrestonin autorin e plagosjes. Konkretisht, sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit, në pranga është vënë shtetasi me inicialet F.K., 33 vjeç, banues në Tiranë.

Ky shtetas, në vendin e quajtur “Fushë-Mëzez”, për motive të dobëta, dhunoi me grushte dhe mjete të forta një shtetas, 28-vjeçarin me inicialet A.D. Ky person mbeti i plagosur rëndë, dhe u dërgua me urgjencë në spitalin e Traumës, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Ndërkohë, policia arrestoi në flagracë shtetasin F.K., i cili akuzohet për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje”. Por, policia arrestoi edhe dy shtetas të tjerë, të cilët akuzohen për “Kundërshtimi i punonjësit të policisë” dhe “Goditja për shkak të detyrës”. Konkretisht, në pranga janë vënë shtetasit me inicialet F.D., 39 vjeç dhe shtetasi me inicialet H.H., 35 vjeç, të dy banues në Tiranë.

Sipas Policisë së Shtetit, këta dy shtetas në momentin e arrestimit të shtetasit F. K., kanë ndërhyrë duke kundërshtuar dhe goditur për shkak të detyrës, punonjësit e “Forcës së Posaçme Shigjeta” të cilët do bënin shoqërimin e shtetasit F. K., për në Komisariat. Materialet procedurale iu referuan për veprime të mëtejshme Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë.



Skip to toolbar