Disiplina masakron Partizanin, Gega e Telushi humbin derbin!

Më të fundit


Komisioni i Disiplinës ka qenë i ashpër në vendimarrjen e tij gjatë kësaj jave, në lidhje me ekipet e Superligës. Klubi më i ndëshkuar nga KDS është Partizani, pasi mesfushori Bruno Telushi është dënuar me katër ndeshje pezullim për sjellje të gabuar ndaj arbitrit. 2 ndeshje pezullim është dënimi disiplinor për trajnerin Skënder Gega, për të njëtën arsye.

“Lojtari i KF “Partizani”, Bruno Telushi, për sjellje jo sportive ndaj zyrtarit të ndeshjes, në bazë të Nenit 49/1/a të KDS, dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga aktivitetet.
“Zyrtari i KF “Partizani”, Skënder Gega, për protesta ndaj zyrtarit të ndeshjes, në bazë të Nenit 56/1/a të KDS, dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga aktivitetet”.

Dy klubet e tjera të Superligës, që kanë qenë objekt i Komisionit të Disiplinës, janë Tirana dhe Skënderbeu, që janë gjobitur përkatësisht me nga 100 mijë lekë, për sjelljen e gabuar të tifozëve.

“KF “Tirana”, për sjellje të gabuar të tifozëve, në bazë të Nenit 66/2 të KDS, dënohet gjobë në masën 100.000 (njëqindmijë) lek.
KF “Skënderbeu”, për sjellje të gabuar të tifozëve, në bazë të Nenit 66/1 të KDS, dënohet gjobë në masën 100.000 (njëqindmijë) lek”, thuhet në vendimet e Komisionit të Disiplinës për këto dy klube.

Në fund të vendimeve të tij, Komisioni i Disiplinës njofton dhe çeljen e një hetimi disiplinor për incidentin mes futbollistit të Flamurtarit, Idriz Batha dhe atij të Skënderbeut, Marko Radas: “Çeljen e hetimit disiplinor për incidentin midis lojtarit të FC “Flamurtari”, Idriz Batha dhe lojtarit të KF “Skënderbeu”, Marko Radas”.



Skip to toolbar