Ish-kryetari i Partisë Demokratike në Elbasan, Aurel Bylykbashi, është lënë i lirë nga policia, pasi është marrë në pyetje, por ai nuk është tërhequr nga deklaratat për vëllavrasje më 30 qershor. Në një prononcim për mediat pas marrjes në pyetje, ai është shprehur sërish me të njëjtat tone si të hënën në takimin ku u krijua Aleanca Qytetare për Mbrojtjen e Demokracisë.
“Ky ka qenë një postim që unë kam vendosur me figurë video dhe tekst çfarë kam thënë dhe i mbetem besnik të gjithë atyre që kam thënë. Nuk ka presion që mund të na mposhtë në këtë kauzë të drejtë për të rivendosur demokracinë dhe lirinë në Elbasan dhe në Shqipëri. Demokracia shqiptare ka dëshmorët e vet ndër vite që fillojnë herët para gati 70 vjetëve, dhe nuk ka asnjë të keqe, nëse duhet për të vënë lirinë dhe demokracinë në Shqipëri të kalohet dhe mbi trupat tanë, le të jemi ne dëshmorët e rinj të demokracisë shqiptare. Ky është qëndrimi im i qartë dhe i prerë”, tha ai.
Aurel Bylykbashi tha se ka pasur një telefonatë për tu paraqitur në polici, dhe ka shkuar vetë, edhe pse thotë se në fletë shkruhej “arrest në flagrancë”. “Kanë qenë oficerë policie që më morën në pyetje mbi bazën e një indicie në lidhje me postimin në Facebook “, shtoi ai.
Sa i përket takimeve elektorale që kreu i qeverisë do të ketë të enjten në Elbasan, anëtari i Partisë Demokratike, Bylykbashi u shpreh: “PD dega Elbasan edhe në kuadër të Aleancës ka bërë kërkesë në polici për tubim në pallatin e sportit, që nga ne gjykohet si tubim protestë paqësore dhe një mesazh drejtuar Ramës, për t’i thënë që kështu nuk mund të vazhdojë me dhe vendi ka nevojë për zgjidhje të shpejtë politike për të mos e çuar vendin në katastrofë në 30 qershor , ky është mesazhi që duam t’i përcjellim kryeministrit Rama”.
Ish-deputeti i PD-së në Elbasan Aurel Bylykbashi është shoqëruar në Policinë e Elbasanit pas deklaratave të rënda, ku paralajmëronte vëllavrasje në Elbasan ditën e mbajtjes së zgjedhjeve. “Ka vëllavrasje, ka luftë civile, le të ketë. Patjetër që le të ketë, ne nuk kthehemi pas. Dhe nuk do të bëjmë gabimin që bën gjyshërit tanë më 1944. Nëse liria, demokracia rrezikohet në këtë vend dhe do trupat tanë për ta mbrojtur, ne jemi gati”. Kjo deklaratë, e bërë nga Bylykbashi në mbledhjen e Aleancës Qytetare për Demokracinë në qytetin Elbasanit, erdhi në një moment kur në media u publikua një qarkore, e cila dyshohet se ka dalë nga zyrat e PD, ku u kërkohej degëve lokale të partisë që të angazhoheshin për pamundësimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, madje deri në përplasje me Polcinë e Shtetit.
Ndonëse e kundërshtoi Lulzim Basha dhe partia e tij, duke e cilësuar si të pavërtetë këtë Qarkore, reagimet e Bylykbashit dhe një letër e PD-së së Kukësit, nxorën zbuluar Selinë Blu, pasi gjithçka thotë Bylykbashi dhe PD-ja e Kukësit, shkon në sinkron me udhëzimet e Qarkores. Madje, po gjatë fjalës së tij, Aurel Bylykbashi, thekson se qëndrimi i tij për “luftë civile dhe vëllavrasje”, është qëndrim i Partisë Demokratike dhe Aleatëve të saj.
“Ka shumë zëra që thonë do të ketë luftë civile, do të ketë vëllavrasje. Një gjë do ta them qartësisht dhe prerë. Personalisht, me gjithë miqtë e mi, por jam i bindur që ky është qëndrimi i fortë i Partisë Demokratike dhe i aleantëvet të saj; ne nuk do të lejojmë zgjedhje më 30 qershor”, shprehet ai në videon e publikuar në faqen e tij në facebook. Kujtojmë se tashmë Bylykbashi ndodhet në ambientet e Policisë së Elbasanit, ku do të duhet të përgjigjet për deklaratat e bëra.
Vetëm pak ditë më parë, Aurel Bylykbashi u lirua nga Gjykata e Elbasanit, pas ndalimit të tij nga Policia e këtij Qarku, për shkak se së bashku me disa militantë të PD-së drejtuesve lokal të kësaj partie në Prrenjas dhe Librazhd, tentuan të pengonin zhvillimin e një takimi elektoral të Kryeministrit Edi Rama.